Bakllava Tradicionale – Ëmbëlsia Mahnitëse e Tryezës Shqiptare

5.1k 0

E ëmbël dhe shije plotë, me sherbet e arra , bakllavaja pa dyshim është lezeti i tryezës shqiptare në raste festash dhe gëzimesh familjare.

Një traditë e trashëguar brez pas brezi nga nënat e gjyshet, kjo ëmbëlsirë vijon të mbetet edhe sot më e preferuara e shqiptarëve.

Deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë bakllavaja u konsiderua si një gatim për njerëzit e pasur, ndaj edhe konsumohej në ceremoni të veçanta.

Ishin Otomanët ata që e sollën bakllavanë në trojet e Ballkanit. Kjo ëmbëlsirë ishte një ndër gatimet më të preferuara në Pallatin e Sulltanit.

Në ditët e sotme, Bakllavaja është shndërruar në një traditë mesdhetare, përgatitja e së cilës kulmon në raste festash dhe gëzimesh familjare.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën tipike të përgatitjes së bakllavasë në mënyrën shqiptare.

Përgatitja e Bakllavasë në Shtëpi  

Përbërësit

(për një tepsi mesatare)

1 kg miell

4 të verdha vezësh

1 vezë e plotë

3 gota uji me gjalpë të tretur

1 kg arra të qëruara

2 filxhanë çaji niseshte

Përbërësit e sherbetit

3 gota uji me sheqer

1 gotë e gjysmë me ujë

Përgatitja

Sitim miellin në një tepsi.

Hapim një gropë në mes. Hedhim të verdhat e vezëve dhe ujin duke e shtuar ngadalë.

Me ndihmën e një piruni përzjeni vezët me miellin derisa të formohet brumi.

Nisim të punojmë brumin me dorë derisa të bëhet një masë kompakte dhe homogjene.

E ndajmë në 40 kuleçë të vegjël dhe e lëmë të pushojë përreth një orë.

Më pas, nisim të hapim petat një e nga një duke përdorur niseshte në hapjen e shpejtë të tyre.

Petët mund t’i hapim një e nga një por edhe 2 ose 3 bashkë, duke hapur pak në fillim kuleçët e duke i vendosur një mbi një e më pas i hapim përmes petësit.

Pasi i hapim petët, i lëmë  që të thahen pak e më pas i shtrojmë në tepsi.

Pasi kemi shtruar dhjetë petët e para hedhim në mes arrat e qërrura e të thërrmuara dhe vazhdojmë kështu derisa të keni krijuar tre shtresa me arra. Duke formuar tre shtresa me arra, bakllavaja bëhet më e shijshme.

Në vijim, petat të cilat kanë dalë jashtë buzëve të tepsisë i presim me thikë.

Bëjmë prerjen tipike të bakllavasë në formën e rombeve, sipër hedhim gjalpin e tretur në mënyrë të njëtrajtshme.

E fusim në furrën e parangrohur me 150 gradë dhe e pjekim derisa bakllavaja të ketë marrë ngjyrë të artë.
Për të kuptuar që bakllavaja është pjekur njësoj dhe brenda, AgroWeb.org ju këshillon që me një thikë mjafton të ngrini pak petat e sipërme. Nëse ngjyra është e artë atëherë bakllavaja është gati.

Zakonisht pjekja e plotë e saj kërkon përreth 3 deri në 4 orë, duke e ulur temperaturën në 100 gradë për orën e fundit.

Më pas përgatisim sherbetin, i cili duhet të hidhet i nxehtë ndërsa bakllavaja e ftohtë.

Për përgatitjen e sherbetit përdorim 3 gota me sheqer dhe një gotë e gjysmë me ujë. Pas 12 orësh nëse bakllavaja e ka thithur plotësisht sherbetin, përgatitet një sherbet tjetër më i trashë se i pari. Ku nevojiten 3 gota sheqer dhe një gotë me ujë. /AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.