Bukë me Miell Irmik – Shije dhe Shëndet në Një Recetë

931 0

Të bësh bukë në shtëpi është një traditë e vjetër, por njëkohësisht shumë e dashur për këdo q ëpërlqen gatimin dhe ushqimin e mirë.

Të gjithë e mbani mend aromën e bukës së sapo pjekur apo koren e ngrohtë që mund ta këpusni me duar sapo ajo del nga furra.

Një recetë të tillë, plot aromë e shumë kronkate do të gjeni edhe në artikullin e sotëm nga AgroWeb.

Buka me miell irmik ka karakteristikat e një buke të shëndetshme e cila mund të konsumohet me çdo gatim tjetër ndaj provojeni edhe ju në shtëpitë tuaja.

Përbërësit për brumin e ardhur

150 gr miell irmik i ashpër

75 ml ujë

1,5 gr maja birre e freskët

Për bukën

600 gr miell irmik i ashpër

100 gr miell 00

520 ml ujë

4 gr maja birre e freskët

20 gr kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb ju këshillon të punoni si fillim brumin e ardhur.

Në një enë të thellë shtoni miellin irmik, shkrini majanë e birrës së freskët me ujë në temperaturë ambienti dhe punojeni me duar.

Formoni një topth të vogël brumi kompakt e pa kokrriza e më pas mbulojeni me një qese plastike kuzhine.

Lëreni në temperaturë ambienti për 18 orë në mënyrë që të fryhet paksa dhe më pas mund të vazhdoni me përgatitjen e brumit të bukës.

Në një enë të thellë shtoni pjesën tjetër të miellit irmik dhe miellin e tipit 00.

Po aty shtoni brumin e ardhur që përgatitët më parë, majanë e birrës dhe gjysmën e sasisë së ujit që parashikon pjesa e dytë e recetës.

Punojini të gjitha me anë të një makine brumi apo me duar derisa të formoni brumin.

Pak nga pak teksa punoni, shtoni edhe ujin bashkë me sasinë e kripës dhe punojeni derisa brumi të jetë i butë dhe elastik.

Vendoseni në një enë, mbulojeni me napë dhe lëreni të pushojë për 10-15 minuta.

Më pas vendoseni brumin në një tryezë pune, lagni pak duart dhe punojeni duke e palosur siç bëni zakonisht me brumin.

Vendoseni brumin sërish në një enë dhe mbulojeni me qepse plastike kuzhine.

Lëreni të fryhet për 3 orë të tjera në temperaturë ambienti dhe më pas punojeni në një tryezë pune të pluhërosur me miell.

Punojeni me duar, jepini formë të gjatë me duar dhe vendoseni në një tavë pjekje të lyer me pak miell.

Lëreni të fryhet sërish edhe më për 30 minuta duke e futur brenda në furrë e duke ndezur vetëm dritën.

Për pjekjen

Më pas priteni me thikë në mes në mënyrë që të piqet brenda.

Futeni të piqet në furrë të ngrohtë në temperaturën 250 gradë për 45 minuta.

Kur të ketë marrë ngjyrë të artë, fikseni furrën dhe lëreni të ftohet.

Më pas mund ta konsumoni sipas dëshirës tuaj./AgroWeb.org