Bukë Shtëpie Me Miell Të Ashpër – Receta Hap Pas Hapi

588 0

Përgatitja e bukës këto kohë është bërë një domosdoshmëri.

AroWeb.org për lexuesit që e ndjekin, ka postuar një larmishmëri recetash për bukët e shëndetshme.

Sot ama vjen me një recetë krejt të re; atë të bukës me miell të ashpër.

Për ta përgatitur është shumë e thjeshtë ju duhet vetëm të respektoni kohën e përcaktuar për ta lënë të pushojë brumi.

Kjo është edhe pika kyçe e përgatitjes së kësaj recete e cila i jep brumit të bukës butësinë e kërkuar.

Përbërësit për majanë

150g miell ermik apo i ashpër

75g ujë

1.5g maja e freskët

Përbërësit për bukën

600g miell ermik

100g miell 00

520ml ujë

4g maja e freskët

20g kripë

Përgatitja e bukës

Si fillim AgroWeb.org ju këshillon që të përgatisni majanë natyrale me të cilën do të përgatisni bukën.

Mos u trembni nuk është receta klasike, ajo ka disa lehtësime për kohën e përgatitjes.

Në një tas shkrini majanë dhe ujin e vakët që përcaktohet tek përbërësit.

Ndërkohë hidhni miellin në një tas dhe shtoni aty majanë e tretur.

AgroWeb.org ju sugjeron që ta punoni lehtë derisa të formoni brumin.

Këtë brumë duhet ta lini në një vend me temperaturë ambienti për 18 orë.

Nëse dëshironi që të shkurtoni akoma edhe më shumë kohë, përgatiteni majanë natyrale që në darkë.

Vazhdoni me hapin tjetër të recetës.

Në një tas të madh përzieni miellin ermik dhe atë të tipit 00.

Shtoni majanë natyrale duke e ndarë në copa të vogla me duar.

Ky proces nuk duhet anashkaluar pasi copëtimi i majasë mundëson përhapjen e saj në të gjithë brumin.

Më pas shtoni majanë e freskët, ujin e kripën dhe nisni ta punoni me duar.

Pasi të keni formuar brumin, mbulojeni tasin me një pecetë dhe lëreni 10 minuta të pushojë.

Pasi të ketë kaluar koha, AgroWe.org ju këshillon që ta kaloni në tavolinë dhe ta punoni lehtë me duar të lagura me ujë.

Vendoseni brumin në një tas të lyer me pak vaj dhe lëreni përsëri për 10 minuta.

Përsërisni këto hapa tri herë për të arritur brumin e dëshiruar.

Pasi ta keni punuar për herë të fundit, pra pas 3 proceseve me 10 minuta, brumin lëreni të pushojë për plot 3 orë.

Në fund jepini formën e dëshiruar dhe vendoseni në tavë të spërkatur me miell irmik.

Pas 30 minutash piqeni në furrë të ngrohur me 250 gradë për 45 minuta.

Kjo bukë qëndron e freskët për tri ditë nëse e ruani në një qese letre, ose ta mbështillni me letër pjekjeje./AgroWeb.org