Ëmbëlsirë me Çokollatë – Receta me Shije të Veçantë

2.2k 0

Ëmbëlsirat me çokollatë janë aq të shijshme e shpesh përshkruhen si një mëkat i ëmbël.

Keku në veçanti është një ëmbëlsirë të cilës vështirë t’i thuash jo, sidomos nëse është prej çokollate.

Dashamirësit e kekut me çokollatë do të zbulojnë në këtë artikull të AgroWeb.org përgatitjen e një keku prej çokollate pa miell i cili do të kënaqë të gjitha shqisat tuaja.

Në fakt, keku nuk bëhet me miellin e zakonshëm të bardhë por me miell bajameje.

Ai nuk përmban pluhur pjekës apo sodë buke dhe përbërësit lidhen ngushtë me njëri tjetrin falë të bardhave të rrahura të vezës.

Përbërësit:

1 filxhan e gjysmë çaji me bajame të grira

160 gramë çokollatë të grirë hollë

Gjysëm filxhani me gjalpë me kripë

Gjysëm filxhan çaji me sheqer

3 vezë të mëdha

2 lugë çaji me ekstrakt vaniljeje

Sheqer pluhur

Përgatitja e Kekut Me Çokollatë

Merrni një tavë keku dhe visheni me letër pjekjeje.

Ndizeni furrën në 160°C.

Çokollatën e grirë vendoseni në një enë qelqi.

Shtoni gjalpin dhe enën vendoseni në mikrovalë për 30 sekonda.

Hiqeni nga mikrovala dhe pas disa sekondash përziejeni.

Kur çokollata të ketë shkrirë, shtoni sheqerin dhe bajamet e grira imët dhe vazhdoni me përzierjen.

Më pas shtoni të verdhat e vezëve dhe ekstraktin e vaniljes.

Në një mikser hidhni të bardhat e vezëve dhe rrihini deri sa të formohet shkuma e bardhë të cilën duhet ta hidhni në enën e qelqit.

Përziejini lehtë dhe masën kremoze hidheni në tavën e kekut.

Piqeni për rreth 40 minuta dhe më pas hiqeni tavën nga furra.

Lëreni kekun të ftohet plotësisht dhe më pas spërkateni me sheqer pluhur.

Kjo recetë mund të bëhet me çokollatë jo shumë të ëmbël dhe mund të shoqërohet me krem pastiçerie apo fruta të freskëta pylli.

Frutat që kombinohen më shumë me këtë ëmbëlsirë janë mjedra, luleshtrydhet dhe manferrat./AgroWeb.org