Karrota Të Pjekura Me Gjalpë Dhe Hudhër – Të Shpejta e Të Lehta

1k 0

Që në kafshatën e parë, do të bindesni se karrotat e pjekura e të marinuara me gjalpë, hudhër dhe mjaltë, janë më të mirat.

Kombinimi i gjalpit, hudhrës aromatike dhe mjaltit është praktikisht një ëndërr për të gjitha shqisat.

Përbërësit:

  • 1 kilogramë karrota
  • 3 lugë gjelle mjaltë
  • 2 thelbinj hudhër
  • Gjysëm filxhan çaji gjalpë
  • Kripë dhe piper
  • Majdanoz të grirë hollë për servirje.

Përgatitja:

Ndizeni furrën të ngrohet dhe vendosni një tigan në zjarr.

Shkrijeni gjalpin dhe kur ai të formojë shkumë të kafenjtë në sipërfaqe, shtoni mjaltin dhe hudhrën dhe më pas hiqeni nga zjarri.

Në një enë të madhe, vendosni karrotat e prerë trashë por për së gjati dhe sipër tyre hidhni salcën e mjaltit, gjalpit dhe hudhrës.

Sigurohuni që të gjitha karrotat të jenë të mbështjella me këtë salcë.

Shtoni kripë dhe piper dhe futini në furrë.

Lërini karrotat që të piqen për 15-20 minuta ose deri sa të zbuten.

Pasi t’i keni hequr nga furra, servirini të ngrohta duke u hedhur majdanoz të grirë hollë sipër.

Përse Duhet Të Hani Karrota Në Çdo Ditë Të Karantinës

Ekspertët thonë se njerëzit duhet të hanë karrota çdo ditë që të përfitojnë të mira të vazhdueshme shëndetësore. Lexoni më poshtë përfitimet e renditura nga AgroWeb.org.

Fibra Tek Karrota

Një racion me karrota të prera përmban 3.6 gramë fibër e cila mban stomakun dhe arteriet të pastra.

Në këtë mënyrë shmanget rreziku i sëmundjeve kardiovaskulare, kolesterolit të lartë, konstipacionit dhe hemoroideve.

Fibra rregullon sheqernat në gjak dhe është e dobishme për të humbur në peshë.

Vitamina A dhe Beta Karoteni

Karrotat janë ndër burimet kryesore të vitaminës A.

Një racion me karrota ofron 1,069 mikrogramë të kësaj vitamine, duke tejkaluar dozën e nevojshme prej 700 mikrogramë për femrat dhe 900 mikrogramë për meshkujt.

Vitamina A është e domosdoshme për shëndetin e syve, lëkurës, dhëmbëve dhe kockave.

Ajo u vjen në ndihmë qelizave për t’u rritur normalisht.

Beta karoteni ndihmon të parandalojë problemet shëndetësore të nxitura nga mosha, si sëmundjet koronare.

Vitamina K

Një racion me karrota ofron 16.9 mikrogramë të vitaminës K ose 20% të dozës së rekomanduar ditore.

Vitamina K luan një rol thelbësor në mbarëvajtjen e qarkullimit të gjaku dhe shëndetit të kockave.

A Rrezikoheni Nga Beta Karoteni i Tepërt?

Ngrënia e sasive të mëdha të beta karotenit nuk ju vë në rrezik nga një mbidozë e mundshme e vitaminës A.

Organizmi di vetë të rregullojë sasitë e nevojshme të beta karotenit që ka nevojë.

Megjithatë, nëse konsumoni sasi të mëdha karoteni, do të përballeni me një zverdhje të lëkurës.

Nga ana tjetër është shumë e vështirë ta teproni me ngrënien e karrotave apo edhe perimeve të tjera.

Sa i përket karrotës, ju mund të konsumoni një ose dy në ditë.

Lëkura e Karrotës Nuk Duhet Hequr

Lëkura e karrotës përmban gjysmën e antioksidantëve që gjenden tek kjo perime e nëntokës.

Karrotat pasi t’i lani mirë gatuajini me avull ose hajini të pagatuara, duke i përfshirë në sallata ose lëngje frutash./AgroWeb.org