Keku i Mrekullueshëm me Fiq të Thatë – Si Ta Përgatisni Vetë Në Shtëpi

1.9k 0

Në doni të ëmbëlsoni veten tuaj e të përgatisni një kek të thjeshtë e të shijshëm provoni kekun e mrekullueshëm me fiq të thatë.

Kjo është një recetë e thjeshtë, e lehtë në përgatitje por që të përfshin tërësisht me shijen e saj fantastike.

Keku me fiq të thatë jo vetëm që mund të konsumohet në çdo kohë të ditës por mund të shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me kafe apo çaj, por edhe lëng frutash gjithashtu.

Më poshtë, AgroWeb.org sjell hapat që duhet të ndiqni për të përgatitur këtë ëmbëlsirë fantastike vetë në shtëpi, një mënyrë ideale për të ëmbëlsuar veten dhe me të dashurit tuaj në familje.

Përgatitja e Kekut me Fiq të Thatë

Përbërësit

3 kokrra vezë

400 gr miell gruri

300 ml qumësht

180 gr sheqer

100 gr gjalpë

200 gr fiq të thatë

75 gr arra

Një lugë çaji sodë buke ose fryrës ëmbëlsirash

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju udhëzon të ndani të verdhat nga të bardhat e vezëve.

Të verdhat e vezëve ruajini në një tas të vogël mënjanë.

Bashkoni në një tas të bardhat e vezëve me sheqerin dhe rrihini derisa të krijohet një masë shkumë e palëvizshme.

Në këtë moment shtoni gjalpin e prerë në copëza të vogla dhe vijoni të përzjeni masën derisa të njëtrajtësoshet.

Vendosni fryrësin e ëmbëlsirave apo sodën në një filxhan kafeje me pak qumësht dhe trazojeni pak sa të tretet.

Shtojeni tek masa që keni me të bardhën e vezës dhe nisni të shtoni aty pak nga pak miellin duke e përzierë vazhdimisht derisa të keni shtuar gjithë miellin.

Përmes një thike të mprehtë prisni fiqtë e thatë në copëza të vogla, thërrmoni edhe arrat dhe shtojini tek brumi që po përgatisni.

Shtoni gjithashtu të verdhat e vezëve dhe qumështin dhe punoni brumin me duar derisa masa e tij të bëhet homogjene.

Lyejeni një tepsi të vogël (ose tepsi ëmbëlsirash nëse keni) me gjalpë në të gjithë sipërfaqen e saj, më pas shtroni aty brumin dhe hapeni në të gjithë tepsinë.

Parangrohni furrën në 180 gradë dhe futeni ëmbëlsirën të piqet për 45 minuta. Lëreni të ftohet dhe kur ta servirni spërkatesni sipër me sheqer pluhur./AgroWeb.org