Mënyra e Saktë e Ruajtes së Barishteve në Ngrirje

2.3k 0

Në Shqipëri, barishtet e egra të pasura me vlera kurative, kanë qenë dhe mbeten pjesë e pandashme  e bahçeve dhe parcelave të vogla por dhe të tregut të fshatarëve.

Të tilla janë disa prej tyre si rradhiqet, çikorja dhe nena e gjelbër, të cilat përdoren gjerësisht në kuzhinë, por edhe vlejnë si barishte mjekësore.

Njerëzit kanë shfrytëzuar vetitë e jashtëzakonshme të këtyre bimëve të njohura edhe si lakra të egra në mjekësinë tradicionale.

Të  dhënat e AgroWeb.org thonë se lakërishtet e egra dhe barishtet në përgjithësi janë shumë të shëndetshme për organizmin.

Ato përmbajnë fibër, që ndikon në uljen e nivelit të kolesterolit në gjak por edhe stabilizojnë nivelin e sheqernave në gjak.

Ato përmbajnë minerale si zinku magnezi, mangani, kalciumi, hekuri, kaliumi, acidi folik dhe vitaminat A, B6, C, E dhe K.

Barishtet e egra përmirësojnë funksionet e sistemit tretës, ndihmojnë në uljen e nivelit të kolesterolit të keq i cili shkakton tension të lartë të gjakut.

Konsumi i rregullt i barishteve ndihmon në zhbllokimin e enëve të gjakut dhe ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës.

Mënyra e Saktë e Ruajtes së Barishteve Në Ngrirje

Problemi me barishtet ose lakërishtet e egra qëndron tek brishtësia e tyre dhe ndryshe nga frutat dhe perimet që mund të ruhen në ngrirje pa shumë andralla.

Së pari, sigurohuni që t’i lani barishtet tuaja të zemrës me ujë të rrjedhshëm.

Më pas thajini me letër kuzhine.

Prisni kërcenjtë e tepërt dhe vendosni një tenxhere të mbushur me pak ujë në zjarr.

Kur uji të valojë fort, hidhini barishtet në të dhe mbajini aty për 3 minuta.

Në këtë mënyrë, enzimat që janë përgjegjëse për kalbjen e barishteve do të mbeten të çaktivizuara.

Pas tre minutash, barishtet e ziera hidhini në një enë me ujë të ftohtë dhe copa akulli dhe prisni sërish 3 minuta të tjera.

Transferojini ato në kullesë dhe lëreni ujin e tepërt të kullojë.

Barishtet duhet të mos kullojnë ujë dhe duhet të jenë relativisht të thata përpara futjes në ngrirje sepse i gjithë mundi do të shkojë dëm.

Më pas, barishtet futini në qeset e ngrirjes, mbyllini mirë dhe sigurohuni që në qese të ketë sa më pak ajër.

Futini në ngrirje dhe mund t’i përdorni sipas dëshirës deri në 12 muaj.

Kur të dëshironi t’i gatuani, nuk është nevoja që të prisni gjatë që të shkrihen sepse ato janë pothuajse gati për gatim./AgroWeb.org