Omletë me Perime – Mëngjes i Shijshëm, Shëndet i Mirë

10.1k 0

Omleta është një ndër recetat më të hershme jo vetëm të kuzhinës shqiptare por gjithë kuzhinës botërore.

Një ushqim i shijshëm por mbi të gjitha i pasur me vlera ushqyese, me përbërës kryesor vezët, omleta vijon të mbetet simboli i një mëngjesi të shëndetshëm.

Omleta përgatitet shumë lehtë dhe kërkon pak kohë ndërkohë që është e pasur me vlera të shëndetshme.

Gatuhet e kombinuar në mënyra të ndryshme, me djathë të bardhë a kaçkavall, proshuta të ndryshme e salsice por më e shëndetshmja dhe më e shijshmja është padyshim omleta me perime të freskëta.

Mund të kombinoni të gjitha perimet që u gjenden në shtëpi, domate, patate, karrota, kunguj, lulelakër, brokoli etj.

Sa më shumë përbërës të hidhni aq më shumë e shijshme dhe e shëndetshme do të bëhet omleta.

Më poshtë, AgroWeb.org u sugjeron një recetë të shëndetshme të përgatitjes së omletës krejt lehtë në shtëpi për të nisur ditën mbarë bashkë me familjen.

Përbërësit

(Përbërësit e kësaj recete janë për katër persona dhe përveç vezëve që janë baza e omletës perimet e tjera mund të shtohen sipas dëshirës dhe atyre që keni në kuzhinë)

  • 4 vezë
  • Vaj ulliri
  • Një lugë çaji me miell
  • Pak qumësht
  • 1 kokërr domate
  • Një qepë e njomë (vetëm pjesa e bardhë)
  • 1 kungull i njomë
  • 100g djathë i bardhë ose kaçkavall i grirë
  • Një spec i vogël
  • Kripë dhe piper

Përgatitja

Si fillim pastroni perimet dhe prijini në kubikë shumë të vegjël.

Grijeni qepën shumë hollë. Në një tigan që nuk ngjit hidhni vajin e ullirit dhe hidhni qepët kavërdisni pak dhe më pas shtoni domatet dhe perimet e tjera të prera në kubikë.

Hidhni piperin dhe kripën dhe kavërdisini herë pas here derisa volumi i perimeve të bjerë.

Nga ana tjetër, në një tas rrihni vezët, shtoni miellin dhe qumështin dhe rrihni derisa të bëhet masa e njëtrajtshme.

Hidheni masën e vezëve në tigan dhe trazojeni në sekondat e para. Në momentin që  pjesa e fundit nis të skuqet shtoni djathin, fikni zjarrin dhe vendosini kapak.

Pas dhjetë minutash mundohuni ta ktheni omletën për ta pjekur edhe nga ana tjetër ose paloseni dhe lëreni të piqet edhe pak minuta.

Në fund vendoseni në një pjatë dhe servireni me kastraveca ose domate të freskëta por edhe më pak sallatë jeshile apo sallatë spinaqi./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.