Oriz Me Kungull Dimri – Receta E Ngrohtë Plot Shije

793 0

Ditët e ftohta të dimrit nuk kanë kuptim pa një pjatë të ngrohtë në tryezë.

E nuk ka më mirë kur këto pjata shoqërohen me perime të freskëta të stinës.

Vjeshta e dimri ndër më kryesorin kanë kungullin e pasur me vitaminë A, kalium e një mori vlerash të tjera.

Për këto dy arsye dhe për shijen e mirë që ofron, AgroWeb.org ju këshillon që të provoni recetën e orizit të gatuar me kungull vjeshte.

Shija e këtyre dy përbërësve bashkë do t’ju ngrohtë stomakun dhe do t’ju kënaqë me shije të mirë.

Ndiqeni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së kësaj pjate fare lehtë.

Përbërësit

400 gr kungull vjeshte

400 gr oriz

60 gr gjalpë

gjysmë qepe

vaj ulliri

kripë

piper i zi

Për lëngun e perimeve

800 ml – 1 l ujë

1 qepë

dy shkopinj selino

1 karotë

gjysmë luge çaji kripë

Përgatitja

Si fillim, AgroWeb.org ju këshillon që të përgatisni lëngun e perimeve.

Në një tenxhere  shtoni ujin, qepën, selinonë, karotën dhe pak kripë.

Lërini të ziejnë pa i copëtuar derisa të lëshojnë aromën e tyre karakteristike.

Në fund kulloni vetëm ujin, dhe perimet lërini mënjanë pasi nuk do t’ju duhen më për këtë recetë.

Më pas qëroni kungullin dhe priteni në kubikë të vegjël dhe lëreni të pastruar mënjanë.

Në një tigan të thellë skuqni gjysmën e qepës se grirë me pak vaj dhe kur të jetë zbutur shtoni edhe copat e kungullit.

Lëreni të skuqet për disa minuta, e më pas shtoni gjysmën e lëngut të  perimeve që përgatitët më parë, në mënyrë që kungulli të zbutet.

Sipas dëshirës ju mund të përdorni edhe lëng mishi për të kryer këtë proces.

Lëreni kungullin të gatuhet derisa të zbutet plotësisht e më pas fikni zjarrin.

Merrni një tigan tjetër dhe aty shtoni orizin me pak vaj, derisa të fillojë të skuqet e më pas shtoni kungullin e zbutur.

Ngrini pak temperaturën e zjarrit dhe filloni të shtoni pak nga pak edhe pjesën tjetër të mbetur të lëngut tek orizi, në mënyrë që të gatuhet dhe zbutet plotësisht.

Spërkatni me kripë sipas dëshirës tuaj teksa orizi zihet.

Për këtë proces do t’ju duhen rreth 15 – 20 minuta.

Sapo të shikoni që orizi është gati, fikni zjarrin dhe shërbejeni këtë pjatë të ngrohtë duke e spërkatur me pak piper të zi./AgroWeb.org