Oriz me Thjerrëza – Receta e Shpejtë në Vetëm 30 Minuta

1.6k 0

Orizi është një nga ato produkte që mund të shoqërohet me çdo gjë.

Ai përgatitet me perime, me mish në furrë, e gjejmë në recetat e supës madje edhe në ëmbëlsira.

Duke qenë se orizi nuk mungon asnjëherë nëpër shtëpitë tona, AgroWeb.org ju sugjeron një recetë shumë të lehtë.

Mund ta përgatisni sa herë që nuk keni kohë, por doni diçka të shijshme dhe me vlera.

Orizin të kombinuar me thjerrëza do të jetë një pjatë e bollshme dhe që ju ngop me shije të mirë.

Mënyra e përgatitjes është shumë e lehtë dhe mund ta bëjë kushdo.

Përveç shijes, kjo recetë është plot vlera, pasi thjerrëzat janë plot proteina dhe hekur.

Përbërësit

3-4 lugë vaj ulliri

1 qepë mesatare

2 thelpinj hudhër

Spec djegës

2 gota oriz

400g thjerrëza

4-5 gota ujë

Kripë

Piper i zi

2 gjethe dafinë

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon që për nisjen e kësaj recetë të lani me ujë të rrjedhshëm orizin, thjerrëzat dhe qepën.

Qepën griheni imët dhe vendoseni për t’u skuqur në një tenxhere ku keni hedhur vajin e ullirit.

Kur ajo të ketë ulur volumin e saj, shtoni orizin.

Skuqeni lehtë, duke e përzierë herë pas here, dhe ndërkohë shtypni dhe hudhrën.

Kriposeni pak orizin dhe shtoni thjerrëzat dhe ujin.

Përziejeni pak që kripa të tretet dhe vazhdoni me erëzat e tjera.

Tani shtoni dhe specin djegës, piperin e zi dhe gjethet e dafinës.

Lëreni tenxheren të mbuluar me kapak në zjarr mesatar dhe herë pas here shikojeni që orizi të mos ngjitet.

AgroWeb.org ju këshillon që ujin ta hidhni të nxehtë, pra ta keni zierë më parë.

Kështu orizi do të zbutet dhe thjerrëzat do të ziejnë më shpejtë.

Kur orizi të ketë pirë plotësisht ujin, dhe thjerrëzat të jenë zierë, hiqeni nga zjarri tenxheren.

Këtë recetë mund ta shoqëroni fare mirë me tarator, kos, turshi ose me sallatë me perime të freskëta./AgroWeb.org