Këmbë Pate – Petullat e Veçanta Nga Tradita Çame

374 0

Një nga recetat që përgatitet më shpesh në shtëpitë tona është ajo e petullave.

Të gjithë kemi një recetë që e konsiderojmë të preferuarën e cila pëlqehet nga të mëdhenj e të vegjël.

AgroWeb.org ka publikuar versione të pafundme të tyre duke qenë se kërkohen nga lexuesit tanë.

Këtë radhë ama receta vjen nga një ndjekësja jonë e cila kërkoi që recetën e familjes së saj ta ndanim edhe ju.

Bëhet fjalë për një recetë tradicionale çame e cila përgatitet shumë thjeshtë.

PËRBËRËSIT

200 gr miell

2 kokrra vezë

1 gotë sheqer

1 gotë uji me vaj

PËRGATITJA

Rrihni në një tas vezët me vajin derisa të krijoni një salcë të njëtrajtshme.

Më pas shtoni miellin të cilin duhet ta keni situr që brumi të dalë më i butë.

Përziejeni mirë masën sa të formoni brumin dhe lëreni atë të pushojë për 2 orë.

Më pas kalojeni brumin në tavolinë, sipërfaqja e së cilës është spërkatur me pak miell dhe punojeni lehtë sa të largoni ajrin e tepërt.

Ndajeni brumin në toptha me madhësinë e një kokrre veze.

Hapeni atë në një petë pak më të trashë se ajo e byrekut dhe priteni në formën e një katrori.

Nga njëra anë mblidheni katrorin për të krijuar formën që tregohet edhe në foto.

Pasi të keni mbaruar me të gjitha petët mbulojini ato me një pecetë pak të lagur.

Tani ju mbetet që të vendosni në zjarr një tigan me vaj për skuqje që të ngrohet.

Skuqni petullat e përgatitura derisa të marrin një ngjyrë të artë nga të dyja anët.

Vendosini ato në një pjatë të shtruar me letër kuzhine që të largoni kështu vajin e tepërt.

Pasi të keni mbaruar me të gjitha petullat nisni me përgatitjen e sherbetit.

Hidhni në një tenxhere ujin dhe sheqerin dhe vendoseni për ta zierë në zjarr mesatar.

Sherbeti i këtyre petullave duhet të jetë i hollë, njësoj si ai që përgatisni për kekun.

Kur edhe sherbeti të ketë mbaruar jeni gati për hapin e fundit të kësaj recete.

Merrni petullat dhe zhytini tek tenxherja me sherbetin e nxehtë.

Tregoni kujdes që të mos digjeni ndaj mundohuni që t’i fusni petullat duke përdorur dy pirunë.

Pasi të keni kryer edhe këtë proces vendosini në pjatat që shërbeni dhe shijojini plot ëmbëlsi delikate./AgroWeb.org