Si të Përgatisni Purenë më Kremoze me Patate

15.5k 0

Në artikullin e sotëm do të flasim për patatet, pasi recetat me to përveçse janë shumë të shijshme nuk kanë të mbaruar.

Përveç atyre në furrë, një mënyrë tjetër shumë e përhapur e përgatitjes së patateve është edhe pureja.

E përshtatshme për të mëdhenj e të vegjël, pureja me shijen e saj të butë është e pasur me shëndet të mirë, sidomos kur përgatitet vetë në shtëpi.

Kjo pjatë është e lehtë për t’u gatuar dhe kërkon shumë pak përbërës, megjithatë shpesh herë ndodh që pureja të dalë e ujshme dhe shumë larg shijes së saj të vërtetë.

Për amvisat që e gatuajnë shpesh apo për ato që nuk e dinë ende sekretin e puresë kremoze, AgroWeb.org ju këshillon të provoni recetën e mëposhtëme.

Mënyra e duhur e përgatitjes së puresë kremoze, të trashë dhe plot aromë të mirë është më e lehtë nga sa mendoni.

Prandaj mjafton t’a ndiqni më poshtë recetën sipas AgroWeb.org

Përbërësit

1 kg patate

120 ml qumësht

120 ml krem qumështi ose pana

57 gr gjalpë pa kripë

piper i zi

kripë

vaj ulliri

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e puresë AgroWeb.org ju këshillon që si fillim të qëroni mirë patatet dhe t’i shpëlani ato me ujë të bollshëm.

Më pas vendosini në një tenxhere të mbushur me ujë të ftohtë duke shtuar 1 lugë çaji kripë.

Vendoseni tenxheren të ziejë në zjarr të ulët për 15-20 minuta ose derisa të shikoni që patatet janë zbutur plotësisht.

Mund të bëni një provë të thjeshtë duke i ngulur dhëmbëzat e një piruni, nëse shpohen me lehtësi do të thotë që janë gati.

Teksa patatet ziejnë, në një tenxhere ose tigan tjetër hidhni qumështin, panën dhe gjalpin duke i lënë në zjarr mesatar.

Për të përfituar një pure sa më kremoze është mirë që të përdorni kremin e qumështit ose ndryshe panën për gatim, pasi përbërja e saj e trashë ndikon edhe tek pureja në fund.

Kur të shikoni që gjalpi ka shkrirë plotësisht dhe kremi ka filluar të trashet hiqeni tenxheren ose tiganin nga zjarri.

Më pas nxirrni patet nga uji, kullojini dhe thajini me kujdes që të mos prishen.

Hidhini në një enë dhe filloni t’i shtypni me anë të një piruni ose me një shtypëse patatesh.

Mundohuni që t’i shtypni sa më mirë të gjitha patatet, duke ushtruar forcë në mënyrë që të mos mbesin kokrra.

Po në enën ku ndodhen patatet e shtypura shtoni pak nga pak edhe kremin që përgatitët më parë.

Përzieni me dorë derisa e gjithë masa e lëngëshme të jetë përthithur plotësisht nga patatet dhe të jetë formuar një krem i trashë.

Në fund hidhni kripë sipas dëshirës, piper të zi të bluar dhe vaj ulliri për një shije më të fortë.

Tashmë pureja juaj është gati dhe mund t’a shërbeni veçmas ose si kombinim me çdo pjatë që dëshironi./AgroWeb.org