Byreku i Pranverës – Tradita Vjetër e Nevruzit

1.6k 0

Festa e Sulltan Novruzit përveç simbolikës së saj fetare mjaft të veçantë ka dhe atë të ushqimeve që përgatiten.

Tre janë recetat kryesore të saj ku njëra prej tyre është byreku i famshëm me lakra.

Ky byrek simbolizon ardhjen e pranverës dhe bëhet me 12 lloje lakrash e barishtesh të veçanta.

12 barishtet simbolizojnë 12 muajt e vitit dhe përgatiten me dëshirën dhe shpresën për sa më shumë begati, mbarësi dhe shëndet në familje përgjatë gjithë vitit.

Pra mjafton të mblidhni spinaq, hithra, lakra të egra, labot e llojë të tjera barishtesh të shijshme e të përgatisni harxhin tradicional.

Bashkë me harxhin, byrekut i hidhet edhe një monedhë brenda e cila thuhet se ndahet tek pjestari më me fat i familjes.

Me siguri mund ta keni gatuar e provuar edhe më parë, por në këtë recetë ju rikujtojmë shijen e vjetër për të gjithë ata që duan ta provojnë sot.

Përbërësit

100 gr pazi, lëpjetë,spinaq, hithra, labot, qumështore, bishta hudhrash të njoma, bishta qepësh të njoma, presh, nenenxhik, majdanoz, kopër

500 gr miell

250 ml ujë

1 vezë

1 lugë gjelle djathë i bardhë i thërrmuar

Sodë buke

Kripë

Vaj ulliri

Përgatitja

Përgatitja e Brumit

Përgatisni brumin duke hedhur në një tas të madh miellin.

Bëni një gropë në mes dhe shtoni kripën, sodën dhe përzieni me dorë.

Po aty shtoni pak nga pak ujin e vakët derisa të krijohet brumi për të hapur petët.

Punojeni brumin tuaj me duar dhe kur të jetë formuar topi tradicional, mbulojeni me një pecetë të pastër dhe lëreni të pushohjë për 30 minuta.

Përgatitja e Mbushjes 

Grini hollë të gjitha barishtet që keni përzgjedhur dhe vendosini në një  tenxhere të thellë.

Vendosini në zjarr me pak ujë sa të marrin një valë dhe uji të ketë shterruar, duke shtuar edhe djthain e thërrmuar dhe përziejini.

Për të përftuar një masë pak të trashë të gjellës, AgroWeb.org ju sugjeron që në një gotë të vogël të hidhni një lugë miell dhe treteni me dy lugë kos.

Këtë masë, më pas e shtojmë tek barishtet dhe përzjejmë masën. Të njëjtën gjë mund të bëjmë edhe me qumësht në vend të kosit.

Në fund, gjellës me lakra i shtojmë vezën e rrahur dhe e përziejmë që masa të njëtrajtësohet.

Procesi i pjekjes në furrë 

Pasi e përgatisim gjellën me barishtet, e lëmë të ftohet. Gjatë kësaj kohe brumi është gati për t’u punuar.

Brumin e ndajmë në 10 toptha të vegjël.

Pasi hapim petën e poshtme e shtrojmë në tepsi, të cilën e kemi lyer me disa pika vaj ulliri, shtrojmë petën tjetër, e spërkasim me disa pika vaj ulliri dhe vijojmë kështu derisa të kemi shtruar petën e katërt.

Më pas, shtrojmë gjysmën e mbushjes me lakra, në këtë moment vendosim edhe monedhën, të cilën e pastrojmë mirë me ujë dhe e mbështjellim me një letër kuzhine.

Më pas, vijojmë të shtrojmë dy peta të tjera duke i spërkatur me disa pika vaj ulliri.

Hedhim pjesën tjetër të lakrave dhe vijojmë me shtrimin e katër petëve të tjera.

Në fund petëve u kthejmë pak anët.

Më pas, byrekun e pjekim në furrë në 180 gradë deri sa të marrë pjekjen e duhur.

Në fund të përgatitjes, pasi byreku është pjekur e nxjerrim nga furra dhe e lyejmë me pak gjalpë fshati./AgroWeb.org