Receta më e Mirë për Kulaçin e Përsheshit të Vitit të Ri

8.2k 0

Përsheshi sigurisht që merr shije krejtësisht tjetër kur kulaçin e përgatisni vet në shtëpi.

Recetat janë të shumta, por AgroWeb.org ju tregon një që është shumë e thjeshtë dhe kërkon pak përbërës.

Mjafton ta përgatisni një ditë përpara kështu do t’i jepni mundësinë kulaçit që të kullojë.

Nëse ai kullon siç duhet, përsheshi del akoma edhe më i mirë dhe më i shijshëm.

Lexoni shkurt recetën dhe hapat e përgatitjes së saj, dhe perfeksiononi kulaçin tuaj.

Përbërësit

4 gota miell

1 lugë çaji me sodë buke

1 lugë çaji me kripë

2 gota kos

2 lugë gjelle vaj ulliri

Përgatitja

Si fillim merrni një tas dhe aty hidhni miellin, sodën e bukës dhe kripën.

Përzjejini mirë këta përbërës në mënyrë që shija e sodës dhe kripës të mos mbetet në një vend.

Në një tas tjetër hidhni kosin dhe vajin e ullirit dhe përzjejeni derisa të formoni një salcë.

Këtë salcë AgroWeb.org ju këshillon që ta shtoni ngadalë tek mielli.

Filloni ta punoni me një pirun derisa të formohet brumi i kulaçit.

Më pas kalojeni brumin në sipërfaqen e tavolinës të spërkatur me pak miell.

Punojeni me duar derisa sipërfaqja e brumit të jetë e lëmuar dhe jo e ngjitshme.

Merrni një tavë dhe pasi ta keni lyer mirë me vaj vendosni aty brumin.

Hapeni me duar në të gjithë sipërfaqen e tavës duke e shtypur lehtë.

AgroWeb.org tani ju tregon sekretin e pjekjes së këtij kulaçi perfekt.

Tavën mbulojeni duke i vendosur një tavë tjetër sipër.

Futeni për ta pjekur në furrë me 200-220 gradë.

Tridhjetë minutat e para piqeni të mbuluar më pas largojeni tavën dhe piqeni dhe për dhjetë minuta të tjera.

Sipërfaqja e tij do të ketë marrë një ngjyrë të artë të lehtë.

Nxirreni nga furra dhe largojeni nga tava që të ftohet.

Kur ta ndani sigurohuni që ta ndani me duar, pasi thika do ta bëj brumin e kulaçit të qullët.

Mund ta shoqëroni me gjithçka që dëshironi.

Dhe për ta ruajtur të freskët dhe të butë mund ta mbuloni me një pecetë kuzhine dhe më pas ta fusni në një qese letre./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.