Sallatë me Patate dhe Kastraveca – Shoqëruesja e Përkryer e Tryezave

2.7k 0

Çdo tryezë e madhe ka nevojë për një mori shijesh të cilat kombinohen më së miri me njëra tjetrën.

Për ta bërë këtë mund të duket e thjeshtë, por shpesh është shumë sfiduese.

Salca perfekte për mishin, perimet, sallata apo lloji i bukës mund të jenë vlera të shtuara të pjatave kryesore.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org do t’ju sugjerojmë sallatën perfekte që do të shoqërojë plot shije gatimet tuaja.

Nuk ka rëndësi nëse zgjidhni të gatuani mish apo peshk, sallata me patate të ziera e kastravecë është e duhura për të shoqëruar vaktet.

Ndiqni më poshtë mënyrën e saktë dhe të lehtë të përgatitjes së saj sipas këshillave të AgroWeb.org.

Përbërësit

500 gr patate të vogla (të reja)

400 gr kastravecë të vegjël

1 qepë

2 thelpinj hudhër

4 lugë gjelle uthull molle

3-4 lugë gjelle vaj ulliri

1 tufë kopër

kripë

piper i zi

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që të pastroni me ujë të bollshëm patatet tuaja.

Fërkojini ato mirë me duar në mënyrë që të largohet i gjithë dheu dhe papastërtitë më pas thajini dhe vendosini të ziejnë.

Duke qënë se patatet këshillohen te jenë të reja e të vogla mund t’i gatuani bashkë me lëkurë.

Lërini ato të zihen derisa të zbuten dhe të mund t’i shponi lehtësisht me një pirun.

Bëni kujdes të mos i zieni më shumë nga sa duhet, pasi kjo gjë mund të ndikojë në shijen e sallatës tuaj.

Pasi të jenë zier, nxirrini nga uji dhe lërini të ftohet plotësisht në temperaturë ambienti.

Ndërkohë prisni në feta të holla jo më shumë se 1-2 cm kastravecët tuaj dhe mblidhini të gjitha pjesët në një enë të thellë.

Kriposini mirë sipas dëshirës dhe përziejini në mënyrë që t’ju dalë paksa lëngu.

Më pas prisni patatet në rrathë apo në copëz të vogla sa një kafshatë dhe vendosini në një enë të pastër.

Shtoni qepën e grirë hollë, koprën e prerë në fije dhe hudhrën e grirë.

Në fund shtoni me kujdes edhe fetat e kastravecit duke evituar lëngun e tyre sa më shumë.

Spërkatni me vaj ulliri dhe uthull të gjithë sallatën dhe përzieni me kujdes.

Në fund shtoni përsëri kripë dhe piper të zi sipas dëshirës dhe futeni sallatën në frigorifer për 30 minuta.

Më pas shërbejeni sipas dëshirës në meset e tryezave tuaja./AgroWeb.org