Supë Me Pulë E Shërbyer Nëpërmjet Simiteve

400 0

Një pjatë e shijshme që shërbehet në mënyrë të veçantë nëpërmjet simiteve, të cilën mund të provoni t’a përgatisni vetë në shtëpi.

Por nëse për ju është më e lehtë, mund të përdorni simite të vogla të rrumbullakëta të blera dhe thjesht të përgatisni supën me pulë.

Gjithashtu, në vend të pulës, mund të përdorni mish derri ose viçi ose mund të përgatisni një supë të thjeshtë me perime.

AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e shijshme të kësaj supe kaq të veçantë dhe të shijshme.

Përbërësit:

  • Për supën:
  • 1 fileto pule
  • miell misri sipas nevojës
  • 3-4 lugë vaj
  • 1 qepë
  • 2-3 thelpinj hudhra
  • 1 karotë
  • 1 filxhan me salcë domate
  • 1 gotë ujë
  • 1 kub koncentrat pule
  • 1 gjethe dafine
  • majdanoz i thatë dhe kripë për shije
  • erëza sipas dëshirës
  • 1 lugë e gjysë miell
  • 100 ml kos
  • Për simitet (4 copë):
  • 20 g maja e thatë
  • 300 ml ujë të ngrohtë
  • 1 lugë çaji sheqer
  • 1 lugë gjelle gjalpë i shkrirë
  • 1 vezë
  • rreth 550 g miell
  • 1 lugë çaji kripë

Përgatitja:

Filloni këtë recetë duke përgatitur brumin për simitet. Majanë treteni në ujin me sheqer, më pas shtoni gjalpin, vezën e rrahur (lëmë pak nga veza për hapin tjetër), kripën dhe gradualisht shtojmë miellin.

Filloni të përpunoni këtë përzierje derisa të përftoni një masë brumi të butë që nuk ngjit.

Formoni me të një top, mbulojeni dhe lëreni të fryhet për rreth 1 orë.

Pas 1 ore, përpunojeni sërisht brumin dhe lëreni edhe gjysmë ore.

Më pas ndajeni në 4 topa dhe vendosini në një tepsi, lyejini me vezën e mbetur dhe lërini të mbuluara për 1 orë.

Piqini në 190 gradë C derisa të zverdhen.

Simitet duhet të jenë të buta, si pambuk nga brenda dhe pak krokante nga jashtë.

Për të përgatitur fileton e pulës, filloni duke e prerë atë në kubikë të vegjël e më pas duke i spërkatur me kripë dhe erëza. Lyejini me miell misri dhe skuqini në pak vaj.

Pasi të jetë skuqur lërini mënjanë dhe të njëjtin vaj përdoreni për të skuqur qepën, karrotën dhe hudhrën.

Më pas shtoni salcën e domates, ujin, shtoni piperin e kuq, copat e pulës, piperin e zi, erëzat e tjera, dafinën dhe lëreni të ziejë për rreth 1 orë.

Përziejini herë pas here dhe në fund në një gotë me ujë tretni  një lugë e gjysë gjelle miell dhe shtojeni saë bashku me kosin duke i përzier mirë.

Lëreni të ziejë edhe për disa minuta derisa të jetë gati.

Vazdoni me hapin e fundit duke prerë pjesën e sipërme të simiteve dhe duke i mbushur me supën e pulës. Shërbejini të ngrohta dhe shijojini!/AgroWeb.org