Tavë me Lakër Turshi Dhe Mish Të Terur – Receta me Shije Tradite

1.1k 0

Një recetë vërtet e shijshme e cila është trashëguar brez pas brezi.

Zakonisht këtë pjatë e përgatisin zonat e ftohta të Shqipërisë, por tanimë mund ta shijoni edhe ju me recetën e AgroWeb.org.

Shumë pak mundim dhe shumë aromë, kjo recetë do të tërheqë që të gjithë familjarët tuaj pranë tryezës.

Provojeni dhe shijoni diçka nga tradita e vjetër e vendit tonë.

Përbërësit

1 kg lakër turshi

500-700 gr mish të terur

1 qepë

200 gr gjalpë

Piper i kuq

Piper i zi

Kripë

Përgatitja

Si fillim duhet të nisni me përgatitjen e mishit të thatë.

Sigurohuni që ta lani me ujë të bollshëm dhe ta thani me një pecetë apo letër kuzhine.

Ndërkohë keni mbushur një tenxhere me ujë dhe e keni vendosur që të ziejë.

Kur të shihni që uji nis të vlojë hidhni aty thelat e mishit të terur të cilat nëse dëshironi mund t’i prisni në disa pjesë.

AgroWeb.org ju këshillon që mishin ta lini të ziejë vetëm për 10 minuta, pasi ky hap nevojitet vetëm për zbutjen e lehtë të tij.

Në një tigan keni hedhur gjalpin dhe sapo ai të shkrijë shtoni qepën e grirë sa më imët.

Lëreni qepën të skuqet derisa të shihni që është bërë transparente.

Para se të shtoni lakrën turshi, AgroWeb.org ju këshillon që ta shpëlani pak pasi lëngu i turshisë mund të ketë ketë shumë kripë.

Priteni lakrën turshi në copa më të vogla dhe shtojeni tek qepa për ta skuqur lehtë.

Jepini shije sipas dëshirës me piper të kuq dhe të zi si dhe kripë nëse do të duhet.

Tani është koha që të shtoni mishin dhe ta skuqni edhe atë për 5-7 minuta me lakrën dhe qepën.

Kur të shihni që lakra ka nisur të marrë ngjyrë të artë kalojeni të gjithë masën në një tavë të lyer lehtë me gjalpë.

Vendosni sipër dhe thelat e mishit të terur dhe hidhni 1 gotë ujë nga lëngu i mishit.

Futeni në furrë të ngrohur me 200 gradë dhe piqeni derisa të shihni që uji ka avulluar dhe mishi është gati.

Një tjetër metodë e përgatitjes së kësaj pjate është duke e lënë të ziejë.

Pra nëse nuk dëshironi ta piqni, pasi keni shtuar mishin në tigan shtoni edhe 2 gota më ujë dhe mbulojeni me kapak.

Lëreni të ziejë për 2-3 orë në temperaturë të ulët.

Qepën e kaurdisim me biber të kuq dhe ia shtojmë lakrën e grirë, mishin e terur dhe 1- 2 gota ujë./AgroWeb.org