Tiramisuja e Shtëpisë me Luleshtyrdhe – Shije e Freskët Pranverore

594 0

Tiramisuja me luleshtryshe është një ëmbëlsirë e thjeshtë dhe shumë e shijshme për t’u shijuar.

Ideale për të përfunduar drekat e pranverës me një shije të freskët dhe kremoze.

Përgatitet me shumë pak përbërës dhe me pak përkushtim, mjafton të keni dëshirën për t’a gatuar.

AgroWeb.org në këtë recetë ju sjell mënyrën perfekte të realizimit së kësaj ëmbëlsire.

Ndiqni mënyrën e saktë të përgatitjes hap pas hapi si më poshtë.

Përbërësit

200 gr biskota të gjata me sheqer të gatshme (Savoiardi)

500 ml pana për ëmbëlsira

250 gr maskarpone (krem djathi)

300 gr luleshtrydhe

400 ml lëng portokalli

2 lugë gjelle sheqer

4 lugë gjelle  sheqer pluhur

1 lugë çaji ekstrakt vanilje

Luleshtyrdhe dhe mente për dekorim sipas dëshirës

Përgatitja

AgroWeb.org ju këshillon të filloni me përgatitjen e lëngut me të cilin do të lagni biskotat.

Prisni luleshtrydhet në kubikë të vegjël dhe vendosini në një enë të thellë, shtoni 2 lugë sheqer dhe lëngun e portokallit të shtrydhur.

Trazojeni mirë këtë lëng derisa të shikoni që sheqeri është shkrirë tërësisht dhe lëreni të pushojë për të paktën 30 minuta.

Ndërkohë AgroWeb.org ju këshillon të përgatisni kremin për mbushjen.

Në një enë të thellë hidhni panën për ëmbëlsira, djathin maskarpore, sheqerin pluhur dhe ekstraktin e vaniljes.

Miksojini të gjithë përbërësit me një mikser elektrik derisa të keni përfituar një krem kompakt dhe të trashë.

Pasi kremi është gati, lëreni të pushojë në frigorifer deri në momentin e mbushjes së biskotave.

Më pas kthehuni tek ena e mbushur me lëng dhe ndani veç gjysmën e copave të luleshtrydheve.

Pjesën tjetër të mbetur të luleshtrydheve miksojeni me lëngun e portokallit derisa të jenë shkrirë tërësisht dhe të keni përfitur një masë të trashë.

Kjo do të jetë edhe baza për të zhytur dhe për t’i dhënë shije biskotave të tiramisusë.

Filloni të zhysni shtresën e parë të biskotave tek ky lëng duke i rrotulluar për 3-4 sekonda në të.

Zgjidhni një tavë mesatare rreth 25 cm dhe vendosini ato njëra pas tjetrës përsëgjati derisa tava të jetë plot.

Me kremin e sapo nxjerrë nga frigoriferi lyeni shtresën e parë të biskotave.

Shtroni një pjesë nga luleshtrydhet që latë mënjanë më parë.

Më pas zhysni tek lëngu i luleshtrydheve përsëri një nga një biskotat duke bërë kujdes që të mos zbuten shumë.

Vendosini përsëri njëra pas tjetrës dhe shtroni një shtresë kremi dhe copash luleshtrydhe.

Bëjeni këtë proçes derisa të gjitha biskotat dhe kremi të kenë mbaruar plotësisht.

Kujdesuni të ruani pak krem në mënyrë që ta përdorni për shtresën e fundit të ëmbëlsirës dhe dekorimin e saj.

Mbulojeni mirë me krem në shtresën e fundit në mënyrë që të mos duken fare biskotat  dhe vendosini në frigorifer për 4 orë.

Pasi të kalojnë 4 orë mund t’a dekoroni tramisunë tuaj me disa luleshtrydhe sipër dhe disa gjethe të vogla mente./AgroWeb.org