Torta me Krem dhe Arra e Shtëpisë – Shije e Parezistueshme

682 0

Përgatitja e tortave në shtëpi është një proces i veçantë që mund të dhurojë një shumëllojshmëri emocionesh.

Kjo pasi me një tortë të mirë te përgatitur nga duart tuaja, mund të kaloni ditëlindjet apo festat familjare me të dashurit.

Në recetën e sotme AgroWeb.org ju mëson se si të bëni pikërisht këtë.

Ndiqni mëposhtë tortën me arra dhe krem të përgatitur në shtëpi për t’i mbushur ditët me ëmbëlsi të jashtëzakonshme.

Përbërësit

3 vezë

7 lugë sheqer

100 ml qumësht

100 ml vaj

16 lugë miell

12 gr pluhur pjekje

10 lugë arra të thërrmuara

Për kremin

800 ml qumësht

2 puding me çokollatë

7 lugë sheqer

2 lugë miell

200 gr gjalpë

80 gr çokollatë

Arra

Përgatitja

Në një enë të thellë hidhni vezët bashkë me sheqerin dhe vazhdoni me përzierjen.

Përzieni me një rrahës elektrik përreth 5 minuta derisa të formohet një masë kremoze dhe pa kokrriza.

Më pas shtoni qumështin dhe vajin pak nga pak dhe vazhdoni me përzierjen edhe për disa sekonda.

Në hapin e radhës sitni miellin bashkë me pluhurin pjekës dhe arrat e thërrmuara e të shtypura mirë.
Përzieni sërish me një tel kuzhine derisa të formohet brumi i kekut.

Zgjidhni një tepsi katrore rreth 30 cm, shtrojeni me letër pjekje dhe siper hidhni brumin.

Përhapeni atë me anë të një spatule nëpër të gjithë sipërfaqen e tepsisë dhe futeni në furrë të nxehtë të piqet në 200 gradë për 20 minuta.

Ndërkohë vazhdoni më përgatitjen e kremit për mbushje.

Ne kemi zgjedhur kremin me çokollatë, por ju mund ta përgatisni edhe me vanilje apo me shije të tjera.

Kështu në një tenxhere hidhni qumështin, bashkë me pudingun me çokollatë dhe sheqerin.

Shtoni edhe 2 lugë miell tek kremi dhe ndizni zjarrin dhe filloni të përzieni derisa kremi të trashet.

Sapo të fillojë të krijohet kremi, shtoni gjalpin dhe përzieni përsëri.

Në fund shtoni edhe disa copa çokollatë, përzieni derisa të shkrihen plotësisht dhe lëreni kremin të ftohet për 30 minuta duke e përzier shpesh.

Përgatitja e tortës

Ndërkohë keku do të jetë pjekur dhe mund ta nxirrni nga furra dhe ndajeni përgjysmë në mënyrë të barabartë.

Keku parashikohet të jetë i hollë ndaj ju duhet ta ndani në gjysëm duke e prerë për së gjëri.

Merrni pjesën e parë dhe mbulojeni me gjysmën e kremit, me pas vendosni sipër pjesën tjetër duke e mbuluar sërish me krem të gjithën.

Bëni gati arrat e thërrmuara sërish dhe shtojani tortës nëpër të gjithë sipërfaqen e saj derisa ta mbuloni me arra.

Futeni 2 orë në frigorifer më pas mund ta konsumoni sipas dëshirës tuaj./AgroWeb.org