Pite Rrethore me Kungull të Verdhë, Vezë e Qumësht- E Ngrohtë plot Shije

1.4k 0

I gjithë rajoni i Ballkanit njihet për specialitetet e larmishme të gatimeve të brumit.

Shqipëria dhe Kosova në veçanti kanë një reputacion të pakundërshtueshëm për përgatitjen e ëmbëlsirave, byrekut dhe pites.

Në veri të vendit ku për shkak të motit dhe mungesës së infrastrukturët, burimet ushqimore kanë qenë më të kufizuara, gatimet e brumit kanë qenë domosdoshmëri.

Veriu i vendit njihet për gatimin e flisë, një produkt i shijshëm brumi që kërkon pak ‘harxh’ siç thonë vendasit por shumë mund e djersë.

Flija nuk është i vetmi gatim me të cilin mburret zona e veriut.

Pitet e brumit janë një specialitet i rëndësishëm në shumë qytete.

Gatimi i tyre është i larmishëm.

Për shembull, në disa qytete të ndryshme të vendit siç është Kukësi, njerëzit mburren me të ashtuquajturën pite kolare ose pite rrethore.

Pitja kolare është një byrek brumi që vendoset në tepsi në formën e rrathëve.

Në aspekt servirjeje dhe gatimi, kjo pite është shumë e thjeshtë por e shijshme.

Ajo mund të gatuhet me mbushje të ndryshme si:  gjizë dhe vezë, lakër të  bardhë dhe qepë, kungull të verdhë, vezë dhe qumësht e të tjerë.

Përbërësit:

Për brumin:

1 kg miell të bardhë

Gjysëm luge gjelle kripë

400-500 ml ujë të vakët

2-6 lugë gjelle me vaj ulliri

Për mbushjen:

3 vezë

1 kg kungull i verdhë pa lëkurë

1 gotë uji me qumësht

Gjysëm luge gjelle me kripë

Dy lugë gjelle me gjalpë

Përgatitja:

Qërojeni kungullin dhe grijeni në rende.

Hidheni në një enë qelqi të thellë dhe shtoni gjalpin, kripën vezët dhe qumështin.

Përziejeni masën me lugë druri dhe lëreni enën mënjanë duke e mbuluar me letër kuzhine.

Ndizeni furrën në 150 gradë.

Merrni një tas të thellë.

Hidhni miellin, kripën, dy lugë vaj dhe gjysëm litri ujë të vakët.

Përgatiteni brumin me duar duke shtuar miell edhe ujë sipas nevojës që të përfitoni një brumë jo shumë të fortë por as shumë të butë.

Pasi keni zënë brumin, lëreni të pushojë për 10 minuta duke e mbuluar me një pecetë.

Më pas ndajeni në kuleçë të vegjël në madhësinë e një domateje.

Hapini kuleçët një e nga një me një petës kuzhine në peta të mëdhaja.

Secilën petë duhet ta spërkasni me vaj vegjetal dhe më pas të hidhni dy deri në tre lugë gjelle nga mbushja.

Mbështilleni petën duke i dhënë formë dredharake dhe vendoseni në tepsi.

Vendosja e petëve duhet bërë nga mesi i tepsisë deri në zonat më të largëta të saj.

Tepsia do të mbushet ngadalë me piten me kungull, sipërfaqen e së cilës duhet ta spërkasni sërish me vaj ose gjalpë.

Futeni në furrë dhe ngrijeni temperaturën në 250 gradë.

Pitja ka nevojë për 30 minuta që të piqet dhe ju mund ta hiqni nga furra kur ajo të ketë marrë ngjyrë të artë në të kafenjtë.

Pitja serviret me dhallë ose kos./AgroWeb.org