Tortë me Mollë dhe Gjizë – Si ta Përgatisni në Shtëpi

838 0

Torta me mollë dhe gjizë me siguri është një kombinim që nuk e keni dëgjuar shpesh më parë.

Kemi parasysh rikotën italiane e cila është një version i gjizës sonë pa kripë.

Atë mund ta përdorni edhe në ëmbëlsira në mënyrë që t’i bëni ato më të buta e kremoze.

E tillë është edhe torta që ju sugjerojmë sot në AgroWeb me mollë, gjizë dhe mjaltë.

Mësoni recetën e plotë për ta shijuar.

Përbërësit

450 gr mollë të verdha

200 gr miell

100 gr niseshte

200 gr sheqer

3 vezë

250 gr gjizë pa kripë

1 lëkurë limoni

16 gr maja

100 ml qumësht

Lëngu i një limoni  

2 lugë të vogla mjaltë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb ju këshillon të qëroni fillimisht mollët dhe t’i ndani ato në copa të vogla.

Mundohuni të krijoni 8 copëza për secilën duke hequr mesin dhe farat.

Vendosini në një enë të gjitha dhe hidhini sipër lëngun e limonit duke përzier mirë në fund.

Në këtë mënyrë mollët tuaja nuk do ta nxihen teksa përgatisni brumin e kekut.

Në një tjetër enë sitni miellin bashkë me niseshtenë dhe majanë, përzieni mirë dhe lërini mënjanë.

Po ashtu veçmas përzieni vezët me sheqerin duke përdorur një rrahës elektrik derisa të krijohet shkuma e zakonshme.

Grini edhe lëkurën e limonit dhe vazhdoni me përzierjen edhe disa minuta.

Ndërkohë shtypni me një pirun gjizën pa kripë ose rikotën e famshme italiane dhe shtojeni po tek ena ku përziet vezët.

Teksa bëni këtë shtoni miellin me lugë dhe përzieni në mënyrë që të formohet brumi.

Shtoni qumështin dhe vajin dhe brumi juaj duhet të jetë gati, kremoz dhe pa kokrriza.

Bëni gati një tavë pjekje me përmasa 18-20 cm dhe dhe shtrojeni me letër furre.

Hidhni në të brumin duke e tundur pak në mënyrë që të dalin bulëzat e ajrit dhe filloni të shtroni fetët e mollëve një nga një.

Pjekja

Formoni një kurorë mollësh dhe futeni kekun tuaj të piqet në temperaturën 180 gradë derisa keku të marrë ngjyrë të artë.

Kur të jetë pjekur edhe në mes hiqeni nga furra dhe lëreni të ftohet.

Ndërkohë në një enë të vogël ngrohni mjaltin dhe përdoreni për të lyer mollët në fund me një furcë kuzhine.

Ruajtja

Këtë tortë mund ta ruani të mbyllur në temperaturë ambienti përreth 3 ditë në mënyrë që të mos thahet.

Sipas dëshirës mund ta spërkasni edhe me sheqer pluhur për një shije më të ëmbël e interesante./AgroWeb.org