Trigona Shtëpie me Sherbet – Receta e Ëmbël Shqiptare

2.9k 0

Trigonat janë ndër ëmbëlsitë më fantastike të kuzhinës shqiptare. Një ëmbëlsirë e përgatitur për breza me radhë duke ruajtur të njëjtën traditë ashtu si edhe sot.

Të ngjashme me bakllavanë por më të lehta në shije, trigonat të përfshijnë tërësisht me ëmbëlsinë e tyre, aq sa është e vështirë të ndalësh pa konsumuar disa prej tyre.

Receta e tyre është fantastike për t’u përgatitur në raste festash apo gëzimesh familjare.

AgroWeb.org u sugjeron më poshtë recetën për përgatitjen e trigonave krejt lehtë në shtëpi.

Përgatitja e Trigonave në Shtëpi

Përbërësit

1 pako me peta të freskëta
250 gr arra
300 gr galetë (bukë e thërrmuar)
150 gr qumësht të freskët
100 gr sheqer
Lëkura e një gjysmë kokrre limoni ose portokalle (sipas preferencës)
Lëngu i gjysmë kokrre limoni
1/2  lugë kafeje me vanilje
70 g gjalpë i shkrirë

Për sherbetin

250 gr sheqer
200 ml ujë
lëng limoni

Përgatitja

Si fillim petat e freskëta të gatshme i presim me trashësi 8 centimetra.

Më pas vijojmë me përgatitjen e mbushjes.

Në një tenxhere hedhim qumështin, sheqerin, arrat, lëkurën e limonit ose portokallit dhe vaniljen.

Vendosini në zjarr të ngrohen për disa minuta.

Në momentin që masa është ftohur shtojmë edhe galetën dhe i përzjejmë pa ndërprerje në mënyrë që masa të bëhet homogjene.

Për secilin trigon që do përgatitet nevojiten tre rripa petash.

Si fillim secilën prej tyre e spërkasim me gjalpë e më pas i vendosim njera mbi tjetrën.

Pasi i kemi bashkuar rripat tre e nga tre, në fillim të secilës petës vendosim nga një lugë gjelle me masën e përgatitur dhe nisim mbylljen e petave në formë trekëndore.

Secilin prej trigonave të përgatitur lyejeni me gjalpë dhe piqeni në furrë të ngrohur më parë në 180 gradë

Më pas, përgatisim sherbetin. Hedhim në një tenxhere ujin, sheqerin dhe lëngun e limonit.

Pasi të jenë ftohur trigonat futini në sherbet ose sherbetin hidhuani sipër./AgroWeb.org

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.