Fantastike për shoqërimin e gatimeve të ngrohta, shumëfishojnë shijen dhe sjellin traditën në tryezë
Specat janë një ndër perimet më të dashura për amvisat shqiptare.
Ato nuk mungojnë në asnjë gatim, e si të mos mjaftonte kjo përdoren për turshi, gogozhare dhe marinohen me vaj ulliri e hudhër.
Receta e mëposhtme e sugjeruar nga AgroWeb.org ka të bëjë me specat e mbushur me gjizë.
Kjo recetë është shumë e thjeshtë dhe përgatitet shumë lehtë.
Duke qenë se specat që përdoren për mbushje dhe fermentim janë pak djegës, receta e mëposhtme konsiderohet e përshtatshme për dimër dhe mot të ftohtë.
Si ti Përgatisim në Shtëpi
Përbërësit:
1 kg speca të verdhë me lëkurë të trashë (të varietetit Somborka)
1 kg gjizë me kripë
Kripë
Përgatitja:
I lajmë specat me ujë të bollshëm. Heqim bishtat dhe pjesën e sipërme.
Pastrojmë farat mirë dhe i heqim ato plotësisht, sepse farat i zbusin specat gjatë fermentimit. I mbushim me gjizë dhe i fusim në kavanozë të thellë një e nga një.
Mbushja e kavanozëve bëhet me rradhë, një herë specat dhe më pas gjizë e kështu me rradhë deri sa kavanozi të mbushet plot. Në fund hedhim pak qumësht, mbyllim kapakun dhe e fusim në frigorifer. Fermentimi i specave zgjat 10 ditë.
Kjo recetë kërkon përdorimin e specave të varietetit somborka. Ato janë të verdhë dhe kanë formën e kones. Specat janë pak djegës, gjë që e plotëson më së miri mbushjen me gjizë.
Pas hapjes, specat me gjizë mund të qëndrojnë deri në dy muaj në frigorifer.
Receta e specave me gjizë përshtatet natyrshëm sipas preferencave tuaja. Në vend të qumështit mund të përdoret kosi.
Në raste të tjera, specat mbushen me pak kripë për të parandaluar lëngjet e tepërta.
Specat me gjizë janë një garniturë mjaft e këndshme që plotëson gatimet me mish, por edhe mund të konsumohen veçmas gjatë mbrëmjeve të dimrit duke u shoqëruar me bukë të thekur, misri ose gruri dhe domate.
Dashamirësit e specave me gjizë i konsumojnë ato edhe në mëngjes duke i shoqëruar me një gotë çaj mali të ngrohtë./AgroWe.org
Lini një Përgjigje