Për të humubr kilet e tepërta ekzistojnë shumë mënyra, që nga kufizimi i orareve të ngrënies, e deri tek numërimi dhe kufizimi i kalorive.
Ju mund të pyesni veten se cila nga këto dy metoda gjerësisht të përdorura, është më efikase.
AgroWeb.org ju njeh më poshtë me rezultatet e studimit më të fundit, por edhe me disa rezultate të mëparshme, rreth metodës më të mirë.
Cila është mënyra më e mirë për të humbur peshë?
Përfundimet e studimit mund të jenë befasi për ata njerëz që kanë preferuar dhe janë mbështetur në agjërim ose ndryshe në kufizimin e kohës së të ushqyerit.
Por sipas studiuesve në Kinë, kjo metodë nuk sjell aq shumë përfitime sa kufizimi i kalorive që merrni gjatë ditës.
“Të dhënat tona sugjerojnë se kufizimi i marrjes së kalorive, ka një efekt më të dobishëm në reduktimin e peshës.”, u shprehën studiuesit në Universitetin Mjekësor Jugor në Guangzhou, Kinë.
Sipas hulumtimeve, ajo ndihmon në humbjen e peshës, në reduktimin e yndyrës trupore, të presionit të gjakut dhe niveleve të glukozës dhe lipideve.
Pra, agjërimi apo ndërprejra e ushqimit për një kohë të caktuar nuk dhanë rezultat në reduktimin e peshës apo të faktorëve të tjerë që shtojnë rrezikun e shumë sëmundjeve që lidhen me mbipeshën. Të tilla si rezistenca ndaj insulinës dhe presioni i gjakut.
Çfarë kanë treguar hulumtimet e mëparshme
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar një përparësi ndaj kufizimit kohor.
Një përmbledhje e studimeve të vitit 2020, zbuloi se kishte përfitime nga kufizimi i ushqimit në një periudhë të ditës.
Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i këtyre studimeve kishin një kohëzgjatje shumë të shkurtër.
Për disa ekspertë, përfundimet e reja nuk janë befasuese. Sipas tyre kufizimi i kohës në vend të kalorive, është vetëm një formë disipline që ndihmon për të kontrolluar kaloritë.
Ata sugjerojnë se për të humbur peshë, ju duhet të fokusoheni në cilësinë e ushqimeve dhe në një regjim me bazë bimore, që është më i ulët në kalori./AgroWeb.org