Aleati Më i Madh – Përse Na Mbron Kaq Shumë Sapuni?

233 0

Sapuni përbën mënyrën më efikase për shkatërrimin e viruseve që qëndrojnë në lëkurë, përfshirë COVID-19 që është ulur këmbëkryq në të gjithë globin.

Ekspertët thonë se viruset mund të qëndrojnë në lëkurë për orë, në mos për ditë të tëra.

Dezinfektantët, solucionet e lëngshme, letrat e lagura me alkol janë të mira, por jo aq efikase sa kallëpi i sapunit.

Tingëllon e çuditshme apo jo. Shkencëtarët nuk po shpikin dot një vaksinë kundër COVID-19, ama sapuni e shkatërron atë.

Përse Na Mbron Kaq Shumë Sapuni?

Virusi është një grimcë me një diametër shumë të vogël. Pjesa më e dobët e virusit është shtresa e lipideve, ose yndyrore.

Sapuni e shkrin këtë membranë dhe virusi shpërbëhet si një kështjellë rëre dhe çaktivizohet.

Virusi COVID-19 si edhe shumë viruse të tjera përbëhen nga tre shtylla kryesore: acidi ribonukleik, proteinat dhe lipidet. Një qelizë e infektuar nga ky virus prodhon shumë blloqe të tilla të cilat më pas montohen për të formuar virusin.

Nëse një qelizë e infektuar vdes, të gjitha viruset pushtojnë qeliza të tjera, e disa prej tyre përfundojnë në rrugët e frymëmarrjes.

Kur njeriu tështin apo kollitet, grimca të sekrecioneve lëshohen në ajër deri në 10 metra distancë.

Grimcat më të mëdha mund të qëndrojnë në një distancë deri në 2 metra.

Ato që bien në sipërfaqe të sheshta thahen por virusi mbetet aktiv.

Lëkura e njeriut është sipërfaqja ideale për virusin.

Nëse njeriu prek një sipërfaqe ku ndodhet virusi, ai transferohet menjëherë në lëkurë.

Nëse më pas njeriu prek fytyrën, veçanërisht sytë, flegrat e hundës dhe gojën, atëherë ai infektohet.

Njerëzit e prekin fytyrë çdo 2 deri në 5 minuta, ndaj mund ta kuptoni qartë sa të rrezikuar jemi prej virusit.

Uji nuk mjafton për eliminimin e virusit nga lëkura.

Sapuni nga ana tjetër është aleati ynë më i madh.

Duke qenë se virusi ngjitet në lëkurë si dylli (ndonëse i padukshëm), sapuni është më efikas ta shkrijë atë.

Produktet me alkol mbi 70 përqind kanë të njëjtën mënyrë operimi, por sapuni është më i mirë sepse shkumon dhe pastron të gjithë sipërfaqen e lëkurës.

30 Përqind e Njerëzve Nuk i Lajnë Duart

Sipas vëzhgimit të studiuesve, vetëm 30 përqind e njerëzve lajnë duart pasi shkojnë në banjë.

Vetëm pesëdhjetë përqind prej tyre i lajnë duart siç duhet.

Larja e duarve nuk ka të bëjë vetëm me shpëlarjen me ujë të bollshëm.

Ju duhet të përdorni sapun dhe të fërkoni mirë pëllëmbët e duarve, pjesën e sipërme, në mes të gishtave dhe thonjtë.

Larja e duarve duhet të zgjasë mbi 20 sekonda dhe vetëm më pas, ato mund të shpëlahen me ujë të bollshëm e të ngrohtë.

Pas larjes, duhet të sigurohuni që t’i thani duart mirë me një peshqir të pastër./AgroWeb.org