COVID-19 është një sëmundje infektive e shkaktuar nga një koronavirus i ri i shfaqur për herë të parë tek njerëzit.

Bëhet fjalë për një virus të rrugëve të frymëmarrjes që përhapet nga personi i infektuar nëpërmjet piklave të pështymës, kollës dhe tështimës.

Piklat e pështymës mund të prekin gojën apo hundën e personave në kontakt të ngushtë me një person të infektuar.

Këto pikla janë tepër të rënda për të udhëtuar gjatë në ajër- ato largohen afërsisht 1 metër nga personi i infektuar dhe bien në kontakt me sipërfaqe të ndryshme.

Kjo është arsyeja pse përhapja nga personi në person ndodh më shpesh midis kontaktit të ngushtë mes tyre.

Koha e saktë që një virus qëndron mbi një siëprfaqe është ende e paditur.

Prandaj sipërfaqet e ndryshme duhet të pastrohen rregullisht, sidomos ato në afërsi të një personi të infektuar nga koronavirusi.

Hapat e Duhur Që Duhet Të Ndiqni Nëse Jeni Të Infektuar Me COVID-19

Nëse dyshoni që ju ose dikush pranë jush ka simptomat e COVID-19, atëherë duhet të ndiqni hapat e mëposhtëm për parandalimin e përhapjes së mëtejshme të virusit në shtëpi dhe komunitet.

Njerëzit që kanë simptoma përgjithësisht të lehta duhet të izolohen në shtëpi përgjatë gjithë periudhës së infeksionit.

Kufizoni daljen nga shtëpia në maksimum dhe për çdo shqetësim në lidhje me këto simptoma telefononi në nr 127.

Mos shkoni në punë, mos dilni jashtë në zona publike dhe kujdesuni për veten.

Ndahuni nga të tjerët. Nëse jetoni me familjen, është mirë që të izoloheni në një dhomë dhe nëse mundeni të përdorni një tualet të veçantë.

Kufizoni kontaket me të tjerët. Rrobat tuaja mund t’i lani me një temperaturë të lartë dhe veçmas nga rrobat e anëtarëve të tjerë të familjes.

Mbani maskë gjithmonë për sa kohë që jeni të rrethuar nga të tjerët.

Maska duhet mbajtur edhe nga njerëzit që kujdesen për të sëmurët.

Lani duart për mbi 20 sekonda rregullisht dhe veçanërisht pasi fryni hundët, kolliteni, tështini, shkoni në banjë, hani bukë dhe pas ngrënies.

Pas larjes dhe tharjes përdorni disinfektant dhe mos prekni fytyrën.

Mos ndani kurrë me të tjerët, enët , gotat, filxhanët, lugët, peshqirët apo çarçafët.

Pastroni dhe disinfektoni çdo zonë të shtëpisë dhe mbi të gjitha jini të vëmendshëm ndaj simptomave.

Shënojini simptomat dhe kohëzgjatjen e tyre dhe nëse vëreni që ndiheni keq kërkoni ndihmë mjekësore.

Mbi të gjitha, jini egoistë por pa diskriminuar dhe shkelur të tjerët, mendoni për veten por edhe komunitetin, mos kini frikë apo turp dhe mos u panikoni./AgroWeb.org