Cilat Grupmosha Janë Më Të Rrezikuara Nga Koronavirusi – Masat Parandaluese

267 0

Koronavirusi i cili u shfaq në Kinë në fund të vitit 2019, vazhdon të përhapet në shumë vende të botës duke rrezikuar shumë jetë.

Ekspertët thonë se po bëhet shumë e qartë tani se mosha e tretë dhe njerëzit me sëmundje kronike janë më të rrezikuar prej virusit se sa popullata e gjerë.

Çfarë Është Koronavirusi?

Ky lloj virusi hyn tek familja e viruseve të cilat shkaktojnë simptoma të ngjashme me ato të gripit.

Këtu përfshihen shenja si një rrufë e lehtë, kollë apo edhe komplikacione më të rënda të sistemit të frymëmarrjes ku përfshihet:

  • Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme,
  • Sindroma e Rëndë Respiratore Akute.

Ka disa lloje të këtij virusi të cilat janë të përhapura kryesisht tek kafshët dhe një lloj i ri që po përhapet edhe tek njerëzit.

Cilat Janë Simptomat?

Sipas ekspertëve të ISHP të cilëve i’u referohet AgroWeb.org, simptomat varen nga lloji i koronavirusit.

Megjithatë  shenjat më të zakonshme janë problemet me aparatin e frymëmarrjes.

Ky virus shkakton:

  • ethe,
  • kollë,
  • gulçim
  • vështirësi te vazhdueshme në frymëmarrje.

Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.– thuhet në lajmërimin e ISHP.

Të Moshuarit Më Të Rrezikuar Nga Virusi

Ekspertët e Universitetit të Kolumbias në Shtetet e Bashkuara thonë se vdekshmëria nga koronavirusi ka luhatje.

Ajo është më e lartë tek të moshuarit dhe njerëzit e prekur nga sëmundje kronike.

Duke iu referuar të dhënave që vijnë nga provinca Wuhan, në 80% të rasteve, infeksioni është i një niveli mesatar ndërsa në 4.7 përqind të rasteve konsiderohet si kritik.

Niveli i vdekshmërisë mbetet i ulët, megjithatë në grupmoshat mbi 80 vjeç është i lartë.

Në lidhje me sëmundjet kronike që përmendëm më lart, ekspertët kanë vënë re se ato që ndikojnë dhe përshpejtojnë infeksionin janë:

  • Sëmundjet kardiovaskulare,
  • Diabeti,
  • Sëmundjet kronike të rrugëve të frymëmarrjes
  • Hipertensioni.

Deri më tani, ekspertët thonë se epidemia arriti kulmin në datat 23-26 janar përpara nisjes së trendit zbritës që u vu re në javët e para të shkurtit.

Masat Prandaluese

  • Lani shpesh duart me ujë dhe sapun ose pastrojini ato duke i fërkuar me dezifektant me bazë alkooli;
  • Kur kolliteni apo teshtini, mbuloni gojën dhe hundën me gropëzën e bërrylit ose shami letre. Hidheni menjëherë shaminë e letrës në koshin e plehrave dhe pastaj lani duart;
  • Mënjanoni kontaktet e ngushta me këdo që ka temperaturë dhe kollë;
  • Paraqituni tek mjeku nëse keni kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje dhe raportoni historinë e udhëtimeve nëse keni udhëtuar kohët e fundit;
  • Mënjanoni kontaktet me tregjet e kafshëve të gjalla në zonat që kanë koronavirus
  • Mënjanoni konsumin e produkteve të mishit të pagatuara apo gatuara jo shumë.
  • Udhëtarët që kanë patur kontakte me raste të konfirmuara apo ekspozim direkt ndaj një burimi të mundshëm infeksioni duhet të vendosen në observim mjekësor.
  • Kontaktet me rrezik të lartë duhet të mënjanojnë udhëtimet për periudhën e inkubacionit deri në 14 ditë;/AgroWeb.org