Përhapja e Koronavirusit – Të Dhënat e Fundit për Shqipërinë

346 0

Prej më shumë se tre javësh i gjithë globi po përballet me një lloj të ri sëmundje infektive e cila ka hyrë në kufinjtë e epidemisë.

Quhet koronavirus dhe konsiderohet si një formë e rrezikshme gripi, pasi krijon komplikacione në mushkëri dhe rrugët e frymëmarrjes.

Situata ndërkombëtare ka qënë alarmante për disa jave radhazi dhe masat e marra janë shumë të rrepta.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org ju tregojmë të gjithë të dhënat që duhet të dini mbi përhapjen e këtij virusi në botë dhe masat e marra në vend.

Situata ndërkombëtare

Sipas të dhënave më të fundit virusi i ri me epiqendër Kinën, është shpërndarë gjithsej në 26 shtete të tjera  rreth globit.

Kjo kryesisht si pasojë e udhëtimeve të personave të cilët kanë ardhur nga Kina.

Deri më sot numërohen rreth 40 553  raste të konfirmuara me 2019 nCoV.

Ku 40 216 të tyre janë në Kinë, ndërsa përhapja në vende të tjera arrin 322 raste të konfirmuara.

Kina si vendi më i prekur numëron 1000 vdekje, ndërsa jashtë këtij territori numërohet vetëm një viktimë e virusit në Filipine.

Të dhënat për Shqipërinë

Të dhënat zyrtare tregojnë se në vend nuk ka ende asnjë rast të konfirmuar me të prekur nga ky virus.

“Deri tani në vendin tonë nuk ka asnjë rast të prekur me koronavirus dhe rreziku për depërtimin e virusit në Shqipëri vazhdon të mbetet i ulët.” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas tyre masat e marra janë urgjente dhe më shumë se 200 mjekë qëndrojnë në gatishmëri për diagnostfikimin dhe izolimin e virusit.

Task – Forca e ngritur nga Ministria e Shëndetësisë, raportoi se po kryhen kontrolle në të gjitha pikat kufitare, ku ka dhoma të posaçme për kontrollin e personave të dyshuar.

Gjithashtu spitalet janë paisur me materiale dhe protokolle të posaçme për parandalimin e përhapjes së epidemisë.

Çdo rast që do të paraqesë simptoma të kësaj sëmundje do të transportohet brenda 24 orëve në dhomat e ngritura në Spitalin Infektiv në Tiranë.

Numri i personave të dyshuar në Shqipëri

Megjithëse rreziku ndaj këtij virusi vazhdon të mbetet e ulët në territorin e Shqipërisë, ka pasur rreth 5 raste të cilët i janë nënshtruar kontrolleve të posaçme për të verifikuar praninë e virusit.

Këto raste kanë rezultuar të gjithë negative ndaj koronavirusit, por simptomat nuk duhet të ngelizhohen në asnjë rast.

Testimi për përhapjen e koronavirusit do të kryhet në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.

Gjithashtu brenda javës së dytë të muajit Shkurt 2020, do të mundësohet diagnozë e plotë e koronavirusit të ri human thuhet në raportin zyrtar të Ministrisë.

Ekspertët rekomandojnë që të jeni të kujdesshëm dhe të mos neglizhoni simptomat e sëmundjes.

Nëse keni: Kollë, temperaturë apo vështirësi në frymëmarrje,  të telefonononi urgjencën kombëtare 127 ose paraqituni tek qendra mjekësore më e afërt./AgroWeb.org