Përse Shqiptarët po Vuajnë Gjithnjë e më Shumë nga Ankthi dhe Depresioni

888 2

Gjendje ankthi, depresion, sulme paniku, çrregullime të humorit, çrregullime të personalitetit.

Janë këto diagnozat e shpeshta që mjekët psikiatër në Qendrat e Shëndetit Mendor përditë përcjellin bashkë me recetat dhe mjekimin përkatës pacientë të shumtë nga i gjithë vendi.

Vitet e fundit, numri i shqiptarëve që vuajnë nga depresioni dhe niveli i lartë i stresit është rritur në mënyrë dramatike.

Nga një vëzhgim i AgroWeb.org në disa prej farmacive të kryeqytetit rezulton se mjekimet për antidepresantë dhe antistres qendrojnë në krye të listës së barnave të kërkuara nga pacientë të ndryshëm me rekomandim nga mjeku.

E ndërsa numri sa vjen dhe rritet kapaciteti i mjekëve për të përballuar fluksin e vizitave sa vjen dhe ngushtohet, kjo për shkak të mungesës së numrit të duhur të psikiatërve në qendrat e shëndetit mendor.

Në disa raste, rradha e gjatë e pritjes, i detyron pacientët të kërkojnë ndihmë drejt klinikave private, të cilat gjithashtu kanë një fluks në rritje të orareve dhe konsultave.

Çfarë po shkatërron shëndetin mendor të shqiptarëve?

Të pyetur nga AgroWeb.org në lidhje me shqetësimet e shpeshta që detyrojnë shqiptarët të drejtohen tek Qendrat e Shëndetit Mendor për ndihmë, mjekët ndalen tek disa faktorë.

Në përgjithësi ritmi i jetesës, papunësia, situata ekonomike, janë tre faktorët kryesorë si shkaktarët e gjendjes së ankthit dhe depresionit tek pacientët që diagnostikojnë bëjnë të ditur mjekët.

Mjekët psikiatër theksojnë se ankthi dhe depresioni janë dy diagnozat më të shpeshta që ata hasin përditë.

Sipas tyre ka një fluks shumë të lartë të qytetarëve që shkojnë për vizitë dhe konsultë dhe fluksi sa vjen dhe rritet.

Por mjekët evidentojnë dhe një tjetër faktor edhe më shqetësues.

Rritjen e numrit të të rinjve që vuajnë nga ankthi dhe depresioni.

Nëse para disa vitesh numri i të prekurve me depresion prekte më shumë moshat rreth të 40-ve, tashmë janë edhe moshat më të reja, 20-30 vjeç që po diagnostikohen.

Jeta e zhurmshme, pasiguria për të ardhmen, mungesa e mundësive ekonomike zbeh motivimin për të menduar pozitivisht duke i çuar të rinjtë drejt një gjendjeje pesimiste, antkhi dhe depresive.

Kujdesi që duhet treguar dhe cilat janë zgjidhjet më të mira

Stresi është një gjendje që duhet trajtuar që në hapat e parë të tij duke parandaluar kështu antkhin, panikun dhe rënien në depresion.

Padyshim konsulta me mjekun është me patjetër hapi i parë që duhet të bëjë çdo kush që vuan nga stresi, ankthi e depresioni por ka dhe shumë faktorë të tjerë që ndihmojnë në kapërcimin e kësaj gjendjeje e që në shumë raste ndihmojnë edhe në shmangien e medikamenteve.

Një prej tyre është regjimi ushqimor dhe aktiviteti fizik gjithashtu.

Përsa i përket regjimit ushqimor ka shumë produkte natyrale ushqimore të cilat luftojnë ankthin dhe depresioni.

Një ndër këshillat më të mira, për të cilën AgroWeb.org ka publikuar shumë artikuj është magnezi.

Magnezi mund të merret si suplement por edhe përmes ushqimeve.

Ai ndikon në lehtësimin e ankthit dhe stresit, nxit qetësinë mendore, qetësimin e muskujve dhe një gjumë të qetë.

Të gjitha barishtet e gjelbra, farat dhe arrorët janë burimet më të pasura me magnez.

Zgjidhni bajamet, arrat, farat e susamit, kungullit dhe linit janë ideale. Ushqime të pasura me magnez janë edhe fasulet e zeza dhe bananet.

Shëtitjet në natyrë dhe ushtrimet fizike janë gjithashtu një zgjidhje shumë e mirë për të lehtësuar stresin dhe depresionin./AgroWeb.org

* Ky informacion ka për qëllim të plotësojë, të mos zëvendësojë këshilla nga mjeku juaj ose ofruesi i kujdesit shëndetësor dhe nuk ka për qëllim të mbulojë të gjitha përdorimet e mundshme, masat paraprake, ndërveprimet ose efektet negative. Ky informacion mund të mos i përshtatet rrethanave tuaja specifike shëndetësore.

Burimi: U.S. National Library of Medicine

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.