Kur Pritet Të Qetësohet Situata e Koronavirusit – Faktet Që Duhet Të Dini

321 0

Organizata Botërore e Shëndetit ka deklaruar se rreziku global i koronavirusit kinez është “i lartë” dhe nuk është më i moderuar siç u tha fillimisht.

Numri i viktimave rezulton të jetë 107 ndërsa ai i të prekurve ka shkuar në 4000.

Sipas ekspertëve në Kinë, deklarohet se përmes masave të marra ky virus do të arrijë pikën e tij kulmore në dhjetë ditë.

Më pas, sipas raportimeve të mediave zyrtare kineze ku AgroWeb.org është bazuar, virusi do të pësojë një ulje.

Edhe pse kura për këtë virus nuk është gjetur ende, teknologjia ka arritur të identifikojë rastet vetëm përmes temperaturës.

Sipas të dhënave ku është bazuar AgroWeb.org, shkaku i një përhapjeje kaq të madhe të këtij virusi vite edhe nga fakti se jemi në një periudhë gripale.

I vetmi shqetësim që mjekët infeksionist kanë është përhapja e këtij virusi edhe pse ishte në fazën e inkubimit.

Diçka e tillë e bën përhapjen dhe kontaminimin e të tjerëve më të rrezikshme.

Gjithsesi, të gjithë institucionet shtetërore janë lajmëruar dhe pajisur me masat që duhet të ndërmarrin në çdo rast.

Shqipëria merr masa

Pas shpalljes së emergjencës shëndetësore në Kinë, e cila u shpall nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Ministria e Shëndetësisë ka lëshuar urdhër për Institutin e Shëndetit Publik, ku i kërkon të merren masa parapërgatitore për tu mbrojtur nga depërtimi i koronavirusit të ri.

Ndonëse Shqipëria konsiderohet një vend me rrezikshmëri të ulët përsa i përket përhapjes së koronavirusit, ISHP duhet të përforcojë mbikëqyrjen e infeksioneve të rënda respiratore akute, në bashkëpunim me të gjitha spitalet e vendit.

Urdhëri specifikon që Instituti i Shëndetit të Publik të përgatisë përkufizimin e rastit, kur një pacient konsiderohet i prekur nga koronavirus në mënyrë që ta kenë të qartë të gjithë mjekët. Gjithashtu kërkohet edhe një udhëzues për menaxhimin e rasteve në përputhje me rregulloren ndërkombëtare të shëndetit.

Nga ana tjetër në Aeroportin e Rinasit një ekip i Inspektoratit Shëndetësor Shtetëror mbikëqyr të ardhurit nga aeroportet e tjera, veçanërisht nga zonat e infektuara.

Sipas zyrës së komunikimit në Aeroportin “Nënë Tereza” është gati edhe një ambient i posaçëm për të izoluar ndonjë rast të mundshëm apo të dyshuar.

Ekspertët thonë se rreziku i depërtimit të virusit është i vogël, pasi Shqipëria nuk ka linja ajrore direkte me Kinën dhe se udhëtarët që mbërrijnë në vendin tonë skanohen më parë në aeroportet nga janë nisur./AgroWeb.org