Sa Zgjasin Paslëkundjet e Tërmetit – Çfarë Duhet të Dini

514 0

Tërmetet janë kryefjala e ditëve të fundit thuajse në të gjithë rajonin e Ballkanit e deri në Turqi.

Duket se toka nuk po gjen qetësi veçanërisht në Shqipëri, për më shumë se 5 muaj që prej tërmetit të parë në 21 Shtator i cili shkaktoi dëme materiale.

Një tjetër u pasua në datën 26 Nëntor i cili ishte dhe më i madhi në 30 vite me magnitudë 6.4, duke shkaktuar mbi 50 viktima.

Ditën e djeshme thuajse dy muaj pas tërmetit të madh, u ndje një tjetër lëkundje e fuqishme, duke shkaktuar shumë panik tek qytetarët e Tiranës, Durrësit dhe zonave përreth.

E gjithë kjo vazhdimësi tërmetesh, ka shkaktuar jo pak panik dhe frikë tek qytetarët.

Më së shumti tek ata që jetojnë në katet e larta të pallateve në zonat e prekura.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org, ju sjellim disa raste nga praktika botërore dhe fjalën e ekspertëve me kohëzgjatjen e këtyre lëkundjeve.

Çfarë janë paslëkundjet

Pas lëkundjet janë lëkundjet që ndjekin tokën pas një goditje të madhe tërmeti në një zonë të caktuar të tokës.

Duke qenë se Shqipëria ka pasur një histori me tërmetet, për të paktën 5 muajt e fundit siç shpjeguam dhe mësipër, kjo shihet si diçka normale.

Këtë e shpjegon edhe sizmiologu Rrapo Ormeni në një intervistë për Ora News, ku u shpreh se ecuria e pasgoditjeve që shoqërojnë tërmetin e madh vazhdon dhe nuk mund të ndërpritet menjëherë.

Ekspertët shprehen se të gjithë këto para dhe pas lëkundje lidhen me tërmetin e madh të 26 Nëntorit, por në të vërtetë sa zgjasin ato?

Kohëzgjatja e paslëkundjeve

Përtej lëkundjeve të ditëve të para pas tërmetit të cilat priten, sizmiologët shprehen se pasgoditjet mund të zgjasin me muaj, por edhe me vite.

Megjithëse ecuria e një tërmeti nuk mund të parashikohet plotësisht, në vendin tonë tërmetet janë rregjistruar me një tendencë zbritëse.

Herë pas here mund të ndihen edhe lëkundje më të forta të cilat përgjithësisht nuk e kalojnë magnitudën e tërmetit kryesor.

Një studim nga Universiteti i Misurit në SHBA të cilit i referohet AgroWeb.org, tregon se në të vërtetë paslëkundjet lidhen me pjesën e tokës ku ndodh tërmeti.

Pjesa më e madhe e tërmeteve ndodh në pjesën ku dy pllakat tektonike bashkohen, që quhet edhe kufiri kovergjent.

Në Shqipëri këto lloj tërmetesh janë normale, sidomos në zonën e Adriatikut duke qenë se ndodhen dy nga pllakat kryesore tektonike të cilat përplasen me njëra tjetrën.

Nëse kufinjtë e pllakave tektonike pas tërmeteve lëvizin mbi njëra tjetrën rreth 10 milimetra në vit, atëherë paslëkundjet mund të zgjasin për disa vite me rradhë.

Ndërsa nëse ato lëvizin vetëm 1 milimetër në vit, atëherë paslëkundjet mund të zgjasin për një periudhë më të gjatë.

Sa më i madh të jete tërmeti aq më të shumta dhe të gjata në kohë priten të jenë edhe paslëkundjet.

Shumica prej tyre janë fare të pandjeshme nga njerëzit dhe ndodhin gjatë gjithë kohës në pjesën më të madhe të globit.

Në tërmetin e vitit 1979 në zonën e Shkodrës lëkundjet kanë vazhduar me një intensitet të lartë për gati 9 muaj me mijëra pasgoditje të lehta apo të moderuara.

Tërmeti i djeshëm me magnitudë 5.1 vetëm 34 km në veri perëndim të Tiranës i shtohet gjithashtu pasgoditjeve të tërmetit të Nëntorit./AgroWeb.org