Sëmundjet Që Përkeqësojnë Simptomat e COVID-19

215 0

Tensioni i lartë i gjakut, diabeti dhe sëmundjet kardiovaskulare janë shumë të përhapura në mbarë globin, duke krijuar kështu terrenin e përshtatshëm për Koronavirusin.

Profili i deritanishëm i këtij virusi të rrezikshëm tregon se ai është shumë i ashpër në organizmin e një personi që ka sëmundjet e lartpërmendura.

Sipas një grafiku të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, niveli i vdekshmërisë tek grupmoshat mbi 60 vjeç është 3.6 përqind dhe rritet në 14.8 përqind tek njerëzit mbi 80 vjeç.

Kjo nënkupton se COVID-19 është vdekjeprurës për moshat e treta dhe ata të prekur nga sëmundjet e zemrës, diabeti apo tensioni i lartë.

Nga ana tjetër, përhapja e virusit vërehet më shumë tek njerëzit nga 15 deri në 49 vjeç.

Komplikacionet Kardiovaskulare

COVID-19 është shumë problematik, madje shkatërrimtar për mushkëritë.

Ama, pasojat më të mëdha vërehen tek shëndeti i zemrës.

Shkencëtarët kanë vënë re tek pacientët e sëmurë me COVID-19 shfaqjen e aritmisë, hipotensionit, takikardisë dhe shumë sëmundje të tjera kardiovaskulare.

Zemra dhe mushkëritë janë të lidhura në mënyrë të habitshme.

Provo të marrësh frymë shpejt dhe do të vëresh se si rriten rrahjet e zemrës.

Nëse zemra është e dobët, enët e gjakut janë të bllokuara, ajo punon më fort për qarkullimin e gjakut dhe të oksigjenit në trup.

Zemra lodhet dhe Koronavirusi nuk ia bën aspak punën të lehtë.

Përpos të tjerave, virusi nxit një valë të madhe inflamacioni në mbarë organizmin.

Nëse imuniteti është i dobët apo është tashmë i angazhuar për të luftuar një sëmundje ekzistuese, ai do ta ketë të vështirë të përballet me COVID-19.

Nëse një person vuan tashmë nga zemra, COVID-19 përbën pikën e fundit të ujit që rrëzon një gotë të mbushur plot.

Për më tepër, një raport i vitit 2018 mbi ndikimin e gripit të zakonshëm tek njerëzit e prekur nga sëmundjet e zemrës ka zbuluar se ata janë 6 herë më të prirur të pësojnë një atak në zemër brenda javës së parë të infeksionit.

Duke marrë për bazë këto gjetje, shkencëtarët janë të bindur që në rastin e COVID-19, situate është më problematike.

Sëmundjet e Zemrës në Shqipëri

Një raport i Institutit të Statistikave në vitin 2018 tregoi se vdekjet nga sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut arritën në 11,599 ose 53.2 përqind të vdekjeve gjithsej.

Në vitin 1990, vendi ynë kishte prevalencën më të ulët të vdekjeve nga këto sëmundje në rajon..

Nga fillimi i tranzicionit e deri në vitin 2018, vdekjet nga kjo diagnozë u rritën nga 1250 persona për një milion banorë në 4,040 për një million banorë.

Mesatarja Evropiane është 4 herë më e ulët se e Shqipërisë.

Qytetet me zemrën më të dobët në vendin tonë janë: Korça, Berati, Gjirokastra, Shkodra dhe Vlora./AgroWeb.org