Studimi i Ri: Përse Disa Raste Të Infektimeve Me Covid-19 Janë Më Të Rënda

412 0

Misteri i arsyes pse disa njerëz vdesin nga Covid dhe të tjerët jo është zbuluar nga një studim i ri. Shkencëtarët në Universitetin e Oksfordit zbuluan një pjesë ADN-je e cila dyfishon rrezikun e vdekjes nga koronavirusi. Ky gjen, i quajtur LZTFL1, pengon qelizat e mushkërive që të luftojnë kundër koronavirusit dhe mund të çojë në probleme respiratore, gjatë të cilave oksigjeni nuk arrin dot te organet jetike.

Rreth 15% e britanikëve dhe europianëve mund ta kenë këtë gjen, ndërsa njerëzit me origjinë nga Azia Jugore janë në një rrezik më të madh, pasi mendohet se më shumë se tre persona në pesë veta e kanë atë. Bashkudhëheqësi i studimit, profesor James Davies, tha: Nëse keni gjenotipin e rrezikut të lartë dhe ndodh që të bëheni shumë keq gjatë infektimit me Covid, ka një shans prej 50% që kjo të mos ju kishte ndodhur nëse do të kishit gjenotipin me rrezik më të ulët”.

Ekspertët thonë se ky gjen mund të jetë pjesërisht arsyeja pse njerëzit nga Azia Jugore që jetojnë në Mbretërinë e Bashkuar janë prekur më rëndë nga Covid. Por, vetëm 2% e njerëzve me prejardhje afro-karaibe kishin këtë gjen që të rrezikon më shumë, fakt ky që nuk shpjegon plotësisht shkallën më të lartë të vdekjeve të raportuara për komunitetet e me ngjyrë dhe të pakicave etnike.

“Faktori gjenetik që kemi gjetur shpjegon arsyen pse disa njerëz sëmuren shumë rëndë pas infektimit me koronavirus”, tha Prof. Davies, profesor i asociuar i gjenomikës në Universitetin e Oksfordit. “Kjo tregon se mënyra sipas së cilës mushkëria i përgjigjet infeksionit është kritike.”

“Kjo është e rëndësishme sepse shumica e trajtimeve janë fokusuar në ndryshimin e mënyrës se si sistemi imunitar reagon ndaj virusit.” Studiuesit thanë se gjeni me rrezik më të lartë ndoshta parandalon vendosjen e qelizave në mukozën e rrugëve të frymëmarrjes dhe reagimin e duhur të mushkërive ndaj virusit.

Megjithatë, ekipi zbuloi se gjeni nuk ndikon në qelizat imune, por në vend të tyre, ai godet mushkëritë. Kjo do të thotë që organizmi i njerëzve që kanë këtë gjen duhet të vazhdojë të ketë një përgjigje të plotë ndaj vaksinës Covid, e cila do të neutralizojë rrezikun e shtuar, besojnë studiuesit.

“Meqenëse sinjali gjenetik prek mushkëritë dhe jo sistemin imunitar, kjo do të thotë që rreziku i shtuar duhet të eleminohet nga vaksina”, tha Prof. Davies. “Edhe pse ne nuk mund ta ndryshojmë gjenetikën tonë, rezultatet tregojnë se njerëzit me gjenin me rrezik më të lartë ka të ngjarë të përfitojnë veçanërisht nga vaksinimi.” Studimet e mëparshme kanë zbuluar një pjesë të ADN-së që dyfishonte rrezikun e të rriturve nën moshën 65 vjeç nga Covid, por nuk dihej mënyra se si kjo gjë e rriste rrezikun. Profesor Jim Hughes, bashkudhëheqës i studimit në Universitetin e Oksfordit, tha: “Arsyeja pse kjo ka rezultuar kaq e vështirë për t’u gjetur është se sinjali gjenetik i identifikuar më parë ndikon në ‘materien e errët’ të gjenomit.”

“Ne zbuluam se rreziku i shtuar nuk vjen si pasojë e ndonjë diference në kodimin gjenetik të një proteine, por për shkak të një diference në ADN që bën një kalim duke aktivizuar një gjen.” Shkencëtarët arritën ta identifikonin gjenin duke përdorur inteligjencën artificiale dhe teknologjitë më të fundit që tregojnë përbërjen e ADN-së deri në detaje të shkëlqyera. Ekipi shpreson që mjekimet dhe terapitë e tjera mund të ndihmojnë në parandalimin e transformimit të mukozës së mushkërive në qeliza më pak të specializuara. Ky studim rrit mundësinë e trajtimeve të reja të përshtatura për ata që kanë më shumë gjasa të vuajnë nga simptoma të rënda./Burimi:Panorama