Tri Arsyet Kryesore të Shfaqjes së Sëmundjeve Tek Qytetarët Shqiptar

237 0

Studimi i thelluar që u bë vitin e kaluar nga Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me INSTAT mbi gjendjen shëndetësore të popullatës evidentoi se sëmundshmëria në vendin tonë është e nëndiagnostikuar sidomos për sëmundjet kardiovaskulare dhe depresionin. Kjo do të thotë se të sëmurët janë me të shumtë se në statistika.

AgroWeb.org duke u bazuar tek të dhëna zyrtare ju liston tre arsyet kryesore që mjekët kanë pohuar se janë shkaktarët e shfaqjes së këtyre sëmundjeve.

Konsumojmë rregullisht pije të dëmshme me sheqer të shtuar

Pije të buta dhe pijet me përmbajtje të lartë sheqeri të shtuar krijojnë mjaft probleme në shëndet.

Acidet dhe sheqernat që gjenden në lëngjet e buta industriale bëhen shkak për kariesin dentar dhe erozionin e smaltit të dhëmbëve.

Shumë studime kanë gjetur se konsumi i madh i lëngjeve të buta krijon obezitet tek fëmijët dhe adoleshentët, duke u bërë një nga shkaktarët më të mëdhenj të diabetit në moshat e reja.

Për të vlerësuar nivelin e konsumit të pijeve me përmbajtje të lartë të sheqerit, të anketuarit u pyetën nëse kishin pirë lëngje të buta me sheqer të shtuar 7 ditë para sondazhit.

Ndër femrat e moshës 15-49 vjeç, 25% kishin pirë 1 ose 2 pije të buta, 32% kishin pirë 3 deri në 6 nga këto pije, 6% kishin pirë 7 ose më shumë dhe 36% raportuan se nuk kishin pirë pije me sheqer gjatë 7 ditëve të fundit.

Konsumi i pijeve me sheqer është pak më i zakontë te meshkujt e kësaj grup-moshe, pasi 17% kishin pirë 1 ose 2 pije me sheqer gjatë 7 ditëve, 30% kishin pirë 3 deri në 6 herë në javë, 10% kishin pirë gjatë shtatë ditëve dhe 42% raportuan se nuk kanë pirë pije me sheqer në 7 ditët e fundit.

Konsumi i pijeve të buta është më i shpeshtë te moshat e reja në shtresën me arsim të ulët, si për meshkujt edhe për femrat. Personat me arsim fillor pinin pije me sheqer thuajse gjatë 7 ditëve të javës.

Konsumi i yndyrave, 90% përdorin vaj vegjetal, 6% gjalpë

Në terma të përgjithshëm, gatimi me vajra bimorë është ipreferueshëm, pasi ato kanë përmbajtje më të lartë të yndyrës së ngopur, ndërsa vajrat vegjetalë kanë përmbajtje më të ulët.

Marrja e yndyrave të ngopura shoqërohet me rritje të rrezikut të sëmundjeve jo të transmetueshme, përfshirë sëmundjet koronare të zemrës, obezitetin dhe diabetin.

Mund të përmendim disa vajra bimorë si vaji i palmës, vaji ikokosit, të cilat kanë një përmbajtje të lartë të yndyrave të ngopura.

Për të vlerësuar konsumimin e vajrave dhe yndyrave, të anketuarit u pyetën se çfarë lloj vaji ose yndyre përdornin më shpesh gjatë gatimit.

Rreth 91% e gratë dhe 86% e burrave të moshës 15-49 vjeç raportuan se vaji i perimeve është lloji më i përdorur. Gjalpi përdoret më pak, në 6% të rasteve.

Konsumi i gjalpit është më i lartë në zonat rurale.

Konsumi i yndyrave të kafshëve, i cili mbart një potencial më të lartë rreziku, është më i pranishëm në popullsinë e Dibrës dhe Kukësit dhe Shkodrës. Gjithashtu u evidentua se gjalpi gjen përdorim gjithnjë e më të ulët në shtresat më të ardhura të larta.

Frutat dhe perimet, vetëm 37% e grave dhe 14% e burrave i konsumojnë rregullisht

Studime të shumta tregojnë se konsumi i rregullt i frutave dhe perimeve lidhet me reduktimin e rreziqeve të kancerit, sëmundjeve kardiovaskulare, sëmundjes së Alzheimerit.

Konsumi i frutave dhe perimeve ofron ndër të tjera përfitime shëndetësore edhe në parandalimin e sëmundjeve kronike.

Në terma të përgjithshëm rekomandohet konsumi i tre ose më shumë frutave dhe tre ose më shumë perimeve në ditë sipas Departamentit Amerikan të Shëndetësisë.

37% e femrave të moshës 15-49 vjeç dhe 14% e meshkujve kishin marrë sasinë e rekomanduar të frutave.

Pak më shumë se 80% e burrave dhe grave kanë konsumuar 1 deri në 3 lloje perimesh në ditë, por vetëm 7% e grave dhe 3% e meshkujve të moshës 15-49 kishin konsumuar numrin e rekomanduar të perimeve (katër ose më shumë) në ditën para studimit.

Numri i rekomanduar i frutave (tre ose më shumë lloje) në ditën para studimit u konsumuan më së shumti në zonat urbane (40%) se sa në zonat rurale (32%).

Konsumi i frutave gjithashtu gjen rritje në mesin e njerëzve të arsimuar dhe ata me nivel më të lartë të pasurisë.

Rekomandohet që adoleshentët aktivë dhe të rriturit, që konsumojnë rreth 2,200 kalori në ditë, të kenë në regjimin e tyre ushqimor katër lloje perimesh dhe tre lloje frutash.

Vetëm 5% e femrave dhe 2% e meshkujve 15-49 vjeç kishin konsumuar numrin e rekomanduar të frutave dhe perimeve një ditë para studimit.

Studimi vërejti se konsumi i frutave dhe perimeve ndryshon sipas qarkut.

Në prefekturat e Shkodrës, Beratit, Gjirokastrës, Korçës, më pak se 1% e grave dhe 0% e meshkujve kishte kombinimin e rekomanduar të frutave dhe perimeve, ndërsa në Dibër, 13% e femrave dhe 12% e meshkujve, dhe në Kukës, 14% e femrave dhe 18% e meshkujve, kishin kombinimin e rekomanduar të frutave dhe perimeve./ Burimi: Monitor