Vaksinat Kundër Gripit – A Duhet T’i Bëni Edhe Nëse Nuk Sëmureni Shpesh?

369 0

Sapo vjen dimri fillon automatikisht edhe sezoni i gripit dhe viruseve të ndryshme të cilat sulmojnë organizmin.

Siç edhe mund ta keni përjetuar, parë apo dëgjuar, kohët e fundit vendi ynë po kalon pikërisht një nga ato periudha.

Situata e gripit është përhapur në çdo skaj të vendit megjithatë nuk është shqetësuese dhe ekspertët shprehen se, është normale për kohën dhe kushtet atmosferike.

Krahas këshillave të shumta për të ndërtuar një organizëm të fortë, mjekët këshillojnë gjithnjë edhe bërjen e vaksinave para se periudha e gripit të fillojë.

Shumë hezitojnë, të tjerë nuk i zë gripi shpesh dhe nuk i kushtohet vëmendja e duhur këshillave të mjekëve.

Në këtë artikull nga AgroWeb.org, ju tregojmë se çfarë këshillohet mbi këtë temë dhe a duhet ti bëni vaksinat kundër gripit ose jo.

A janë të nevojshme vaksinat?

Nën këtë çështje delikate mbi të cilën njerëzit kanë mendime të ndryshme, mjekët shprehen qartë se vaksinat janë një ndihmë e madhe për organizmin.

Kjo vlen edhe për personat që nuk sëmuren shpesh ose aspak gjatë periudhës së dimrit apo kur gripi godet.

Shanset që çdo njeri të preket nga gripi janë shumë të mëdha, ndaj kjo masë parandaluese nuk duhet të lihet në momentin e fundit.

“Gripi sezonal është një problem serioz i shëndetit publik i cili shkakton gjendje të rëndë shëndetësore, shtrime në spital dhe deri në vdekje tek grupet me risk të lartë.”– thonë ekspertët e ISHP.

Vaksinat kundër gripit përveçse mbrojnë trupin nga viruset e lehta janë një barrierë e madhe mbrojtëse edhe për ata më të rëndit.

Ato përmbajnë  përmban pjesë inaktive (virus të copëzuar jo të gjallë) të viruseve që mendohet se do qarkullojnë gjatë sezonit.

Nëse në ambientin ku ju ndodheni po qarkullon një virus i rëndë, gjasat që edhe ju të prekeni janë të mëdha, por veprimi i virusit në organizëm do të jetë i zbutur.

Vaksinimi e ndihmon organizmin të jetë më i sigurt dhe i fortë veçanërisht gjatë dimrit sipas një studimi të cilit i referohet AgroWeb.org.

Rreziku i prekjes nga gripi tek personat e vaksinuar ulet me 37%.

Grupet më të rrezikuara

Sipas ekspertëve të ISHP të cilëve iu referohet AgroWeb.org, disa grupe janë më të rrezikuar se të tjerët në lidhje me gripin.

Për këtë arsye ata i rendisin ndër të parët për të kryer vaksinën në mënyrë që të parandalohet çdo rrezik dhe imuniteti të jetë më i fortë.

Në këto grupe bëjnë pjesë të moshuarit, gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël si dhe individë të sëmurë për një kohë të gjatë me sëmundje kronike dhe/ose imunodeficencë kanë një risk të lartë, për të zhvilluar komplikacione nga gripi, prandaj vaksinimi ndaj gripit rekomandohet më shumë tek ta.

Ekspertët gjithashtu theksojnë se, nuk është asnjëherë vonë për ta bërë vaksinën.

E këshillueshme është që të kryhet para sezonit të dimrit ku viruset shfaqen në masë, por edhe gjatë dimrit.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetit  vaksinimi kundër gripit është një nga ndërhyrjet që kanë ipaktin më të madh tek njerëzimi, pas ujit të pijshëm./AgroWeb.org