Për arsye të ndryshme, salcat e gatshme të makaronave që shiten në market tingëllojnë si alternativa më e lehtë e një vakti dreke.

Gratë në karrierë dhe jo vetëm shpesh mund të mos ia kenë ngenë përgatitjes së një salce makaronash në kushtet e shtëpisë.

Megjithatë, nëse do t’i dinit përbërësit e fshehur të këtyre salcave, ndoshta nuk do t’i blinit më.

Ekspertët, të cilëve u referohet AgroWeb.org janë partizanë të gatimeve dhe recetave të shëndetshme dhe rëndësisë së tyre për organizmin.

Për këtë arsye, në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni se si të përgatisni salcën e kimës, tue cilën mund ta përdorni për përgatitjen e makaronave ashtu si edhe për receta të tjera, pilaf por edhe tava të ndryshme.

Sipas ekspertëve, sekreti i shijes perfekte të kësaj salce është durimi.

Ajo duhet gatuar ngadalë në temperaturë të ulët.

Një metodë e tillë do të mundësojë përzierjen dhe shkrirjen në një të të gjithë përbërësve.

Si Të Përgatisni Salcën e Kimës Me Mish Të Grirë Në Shtëpi

Për përgatitjen e kësaj salce ju nevojiten:

450 gramë mish të grirë

1 kanaçe ose shishe me salcë të trashë domatesh

Treçerek gote me ujë të pijshëm.

Një kavanoz me pure domatesh

5-6 thelbinj hudhër të grirë hollë,

2 lugë gjelle me vaj ulliri,

2 lugë gjelle me sheqer,

2 lugë çaji me rigon të thatë,

2 lugë çaji me qepë pluhur,

1 lugë çaji me hudhër pluhur,

1 filxhan me copa të vogla borziloku,

Kripë dhe piper sipas dëshirës.

Vendoseni tiganin e madh në zjarr dhe shtoni pak vaj ulliri.

Më pas kavërdisni thelbinjtë e hudhrës për 2-3 minuta.

Shtoni mishin e grirë dhe kavërdiseni deri sa të marrë ngjyrë të kafenjtë për rreth 5 minuta.

Shtoni salcën e domates, purenë e domates, sheqerin, rigonin, qepën dhe hudhrën pluhur, kripën, piperin dhe borzilokun.

Përziejini mirë dhe më pas hidhni ujë në tigan.

Salca e kimës me mish të grirë duhet të ziejë për dy orë që të jetë në cilësinë optimale.

Atë duhet ta përzieni herë pas here dhe ta servirni të ngrohtë.

Nëse preferoni kësaj salce mund t’i shtoni edhe qepë gjatë nisjes sës përgatitjes duke kaurdisur në vaj ulliri këto të para e më pas njëlloj si më sipër./AgroWeb.org