Ka një vit që hidrocentralet e para po hedhin shtat në Parkun Kombëtar të Valbonës.

Ka një vit që nuk ka më Valbonë!

Lugina e Valbonës kishte statusin e Parkut Kombëtar prej 1996 dhe pritej të shndërrohej në asetin më të rëndësishëm turistik në vend.

Ajo do të bëhej pjesë e një parku gjigant që do të bashkojë kurorën e Alpeve me Kosovën e Malin e Zi.

Por përgjatë lumit që i jep emrin Parkut, do të ndërtohen 11 hidrocentrale.

Një prej tyre, më i madhi është Hidrocentrali i Dragobisë.

Kompania ndërtuese pretendon se ka marrë miratimin e banorëve të zonës duke treguar një listë.

Por banorët thonë se lista është e manipuluar, madje në të ka emra të personave që kanë vdekur prej kohësh.

Në fund të lajmit keni dy materiale filmike që flasin vetë për shkatërrimin e Valbonës. Mos i humbni pa i parë!

Çfarë thonë banorët e Luginës së Valbonës

“Valbona nuk është e jona, ne jemi shërbëtorë të saj! Kur s’ka pasur shtet fare, e kemi mbrojtur me gjak se Valbona do të ishte e Serbisë sot.

Lumi është palca e luginës së Valbonës, na duket banale ndërtimi i hidrocentraleve këtu. Përfitimet janë individuale, nuk janë të zonës, është shumë më dinjitoze t’i rishohin vendimet pasi ajo që po ndodh është turp”, tregojnë banorët.

Çfarë thonë turistët e huaj për Luginën së Valbonës

Valbona para se të niste ndërtimi i hidrocentraleve. Foto: Miqtë e Valbonës

‘Është një nga vendet më mahnitëse të botës, që kam pasur fatin ta shoh, t’i ndjej e t’i thith ajrin e pastër, të mbushem me frymë e t’i shijoj gjithçka të mrekullueshme që ka.’

Me këto fjalë të përzgjedhura, Larissa Olenicoff, një publiciste ruse, përshkruan Luginën e Valbonës, pas eksperiencës së saj në këtë vend.

‘Çfarëdo udhëtimi të keni ndërmend të bëni, aktiv, shplodhës, romantik, reflektiv, apo edhe të gjitha bashkë nëse doni, të jeni të sigurt se nuk do të zhgënjeheni.

Ajri i freskët në ato lartësi s’ka të paguar ashtu si trofta e famshme aq e shijshme që peshkojnë nga lumi Valbona.

Ka rreth 200 km shtigje udhëtimi që mund t’i eksplorosh përreth Parkut Kombëtar, ose për ata që janë në kërkim të rehatisë dhe relaksit.

Edhe sikur thjesht të udhëtoni me makinë deri në fund të rrugës, do t’ju ikë mendja nga kjo mrekulli.’

Por Larissa ka rastisur të dëgjojë e të jetë personalisht dëshmitare e një lajmi të keq, të cilin e përshkruan kështu:

‘Por ja ku po ju them edhe një lajm të keq. Ky vend kaq special, i cili ka mbetur ende i virgjër ndryshe nga nga shumë vende të bukura natyrore në rajon, edhe falë të qenurit i izoluar, tani është në rrezik.

Çfarë thonë agjensitë e huaja turistike

Valbona gjatë punimeve të ndërtimit të HEC-eve. Foto: Miqtë e Valbonës

Një kompani turistike me bazë në Britaninë e Madhe i ka dërguar një kërkesë Kryeministrit Rama, që të ndalë ndërtimin e hidrocentraleve në Valbonë.

‘Ne jemi një kompani e fokusuar në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa kemi punuar me partnerë turizmi në Veri të Shqipërisë për disa vite rresht.

Klientët tanë, të cilët kanë vizituar Shqipërinë dhe kanë takuar mikpritësit vendas, janë mahnitur gjatë eksperiencës së tyre, duke rrëfyer mbi mjedisin natyror spektakolar si dhe kulturën aq unike e autentike.

Majat e Ballkanit dhe shtigjet që shtrihen përgjatë zonave të thella të Thethit dhe Valbonës, kanë marrë një famë ndërkombëtare si një nga destinacionet më të mira në botë për pasionantët e ngjitjes në male.

Së fundmi kemi dëgjuar për planet e zhvillimit të një projekti hidrocentralesh në Valbonë. Duke vëzhguar disi më në detaje, jemi thellësisht të shqetësuar për këtë propozim.

Ekzistojnë shumë pak zona vërtet të paprekura, vërtet të egra natyrore që kanë mbetur në Evropë. Valbona është një ndër këto të pakta vende.

Çfarë pasojash do të ketë Valbona?

Valbona si ishte dhe si është. Foto: Miqtë e Valbonës

Pasojat e pritshme të një zhvillimi hidroenergjetik do të ishin shkatërruese për mjedisin, për komunitetet lokale, për trashëgiminë e tyre kulturore dhe për industrinë e turizmit në rajon.

Në botën e sotme, ajo çka po vlerësohet gjithnjë e më shumë janë ato vende të cilat nuk po e ekzagjerojnë me zhvillimin dhe që ruajnë ende gjallë trashëgiminë e tyre kulturore dhe natyrore.

OJF TOKA dhe të gjithë miqtë vendas dhe të huaj të Valbonës protestuan në fundjavë para kryeministrisë. Qeveria e sotme shqiptare, edhe pse ka pranuar në tërësi se koncesionet nuk duhej të ishin dhënë, nuk duket se shqetësohet shumë për zbatimin e tyre.

Foto nga protestat e fundit kundër shkatërrimit të Valbonës: Foto: Miqtë e Valbonës

Qeveria pretendon se nuk mund të bëjë asgjë, pasi e ka “trashëguar” problemin.

Po kush do ta trashëgojë shkatërrimin e Valbonës? /AgroWeb.org

Ndiqni këtë video që tregon qartë Shkatërrimin e Valbonës

Ndiqni këtë video që tregon qartë Ish – Madhështinë e Valbonës