Gorrica – Dardha e Egër e Mbrojtur Nga Vetë Natyra

3k 0

Nëse kërkoni fruta organike, të egra ashtu si natyra i ka bërë, gorricat janë fruti ideal.

Gorrica përmbledh më se 45 specie: të kultivura, bimë spontane në formë shkuresh ose pemë të larta. Në Shqipëri, sipas të dhënave të AgroWeb.org, gjënden 3 specie gorricash, të njohura me emërtimin “gorricë” ose “dardhukël”.

Kjo dardhë e egër është e përhapur shumë në Evropë, kryesisht në Evropën Jugore dhe Juglindore, ndaj edhe përhapja e saj në Shqipëri është shumë e gjerë edhe pse gjendet kryesisht në rajonet e Korçës dhe Pogradecit.

Studjuesit janë të mendimit se gorricat janë paraardhese të dardhës, si rrjedhojë e hibridizimit midis gorricës evropiane dhe gorricës së kaukazit.

Në Shqipëri gjënden si pemë të larta 8-20 metra ose shkurre buzë pyjeve të dominuara nga lisi, ahu, gështenja, etj.

Janë 4 fshatra në Shqipëri që rrjedhin nga emri “gorricë”. Ato gjenden në Gjirokastër, Korçë dhe Përmet. Gjithashtu toponimi “Gorricë” gjëndet në shumë vende të tjera të Evropës Qëndrore e Jugore, tek arvanitasit dhe arbëreshet.

Gorricat janë shfrytëzuar kryesisht si dru zjarri por, në disa rraste janë lënë të rriten pranë arave ose fushave për të marrë frutat e tyre ose për t’u shartuar me dardhë. Kjo praktikë zbatohej deri në mesin e shekullit të kaluar. Fatkeqësisht së fundmi po zhduken dhe gorricat spontane, pra ato të egra, duke i prerë ose keq administruar.

Gorricat si frut, shpesh janë nënçmuar si fruta pa vlerë. Aq sa për një njeri që nuk sjell gjë thuhet: “solli gorrica”.

Megjithatë ato nga shqiptarët por jo vetëm, janë përdorur për një kohë të gjatë si ushqim. Kur piqen kanë një shije të veçantë aromatike. Me to bëhet pekmez ose pije e lëngje të ndryshme si dhe raki e uthull.

Si përgatitet një komposto me gorrica

Pasi të qëroni gorricat vendosini në një enë dhe lajini mirë. Pas larjes pritini ato në katërsh. Gorricat janë të forta dhe është vështirë t’i presësh, por ky proces është shumë i rëndësishëm.

Më pas hiqini farat dhe pjesën e fortë të mesit. Hidhini në një tenxhere me ujë, ku keni shtuar edhe pak limon në mënyrë që gorricat të mos nxihen. Shtoni sheqer sipas dëshirës dhe zjejini. Bëni kujdes që zjarri të jetë mesatar dhe gorricat të mos shkojnë në vlim të fortë, por vetëm të marrin valë ngadalë derisa sa uji të krijojë bulëza të vogla.

Kur gorricat të jenë zbutur, aq sa mund të përshkohen nga maja e thikës, mund të shtoni pak nivelin e zjarrit në mënyrë që lëngu i tyre të marrë formë shurupi. Provojeni herë pas herë për ëmbëlsinë dhe shtojini sheqer nëse dëshironi. Pas zjerjes mund t’i shtoni edhe pak mjaltë dhe kanellë.

Gorricat bashkë më shurupin mund t’i konsumoni të ngrohta ose edhe të ftohta pasi t’i keni futur në frigorifer. Mund t’i konsumoni në mëngjes por edhe pas drekës.

Bima e gorricës është përcaktuar si “bimë e të ardhmes”. Në mjekësinë popullore është përdorur për të trajtuar ulçerat, problemet në zorrë apo për të ndihmuar tretjen. Nga rrënjët përgatitet një ilaç për dhimbjet e barkut. Lëngu që përgatitet nga gorricat e zjera ndihmon në luftën ndaj diabetit./AgroWeb.org