Duaje Zemrën Tënde! Sekreti i Shëndetit të Mirë

491 0

Sëmundjet kardiovaskulare janë më të rrezikshmet që i kanosen njeriut dhe ushqimi luan një rol të rëndësishëm në parandalimin e shfaqjes së tyre.

Të dhënat e AgroWeb.org tregojnë se zemra ka nevojë për stërvitje dhe ushqyes të dobishëm. Dhjetëvjeçari i fundit ka treguar një revolucion të mirëfilltë në lidhje me të të kuptuarit e shëndetit kardiak.

Njerëzit janë më të ndërgjegjshëm në lidhje me yndyrnat e ngopura, florën intestinale dhe shumë të tjera. Rëndësia e shëndetit ka dalë në pah edhe në aspektin teknologjik.

Aplikacione të ndryshme që e ndihmojnë konsumatorin që të jetë i përditësuar me ushqimet apo aktivitetin e nevojshëm fizik mbushin ekranet e telefonave tanë.

Të gjitha këto ndryshime thelbësore në jetët tona, nënvizojnë faktin që zemra ka nevojë për përkujdesje dhe jo vetëm emocionale.

Dashuroni atë që hani

Nivelet e larta të kolesterolit janë ndër kontribuesit kryesorë të sëmundjeve kardiovaskulare.

Kritikët e yndyrnavet të ngopura prej kohësh kanë nisur një ‘gjueti shtrigash’ duke i përmendur ato si shkaktarët kryesorë të aterosklerozës, por studime të kohëve të fundit me subjekt ushqimet e pasura me yndyrna të ngopura siç janë avokado, vaji i arrës së kokosit, madje edhe kosi apo djathi nuk përbëjnë arsye për shqetësim.

Yndyrnat e ngopura gjenden me shumicë në ushqimet e përpunuara, të cilat janë burimi i bollshëm i kalorive dhe yndyrnave trans që shkaktojnë inflamacion. Të dhëna kaq bazike në fakt tregojnë se ushqimet e përpunuara kanë qenë fajtori kryesor gjatë gjithë kësaj kohe.

Mikrobet për zemrën

Shëndeti i zemrës nis nga stomaku. Këtë e thonë shumë studime sipas të cilave një flora e shëndetshme intestinale e bën zemrën të lumtur.

Në rast se flora juaj është e pashëndetshme ajo do të ndryshojë mënyrat e trupit për trajtimin e mishit të kuq, ose do të përthithë efektet negative të disa ushqimeve.

Drithërat e plota dhe ushqimet e fermentuara ndikojnë në ekosistemin e brendshëm dhe e përmirësojnë atë, ndaj nëse tregoheni të kujdesshëm me florën intestinale, zemra juaj do të jetë mirënjohëse.

Të pish apo të mos pish …

Përveç ushqyerjes së shëndetshme dhe aktivitetit fizik, praktika të tjera të shëndetshme mund ta përmirësojnë sistemin kardiovaskular.

Nëse jeni dashamirës të alkoolit, atëherë zemra ju lutet të mos e teproni. Një gotë alkool në ditë për femrat dhe dy gota për meshkujt është mëse e mjaftueshme për të mos e dëmtuar zemrën madje përmirëson kolesterolin në gjak dhe ul rrezikun e vdekshmërisë nga sëmundjet kardiovaskulare.

Në rastin e alkoolit, “pak është shumë” është shprehja që përshtatet më së miri. Vera e kuqe mund të jetë e pasur me antioksidantë por nëse e teproni me të mund të rrisni rrezikun e shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare, obezitetit dhe tensionit të lartë të gjakut.

Afër shtratit larg stresit

Gjumi është më i nënvlerësuari për shëndetin e zemrës. Njerëzit që ushqehen mirë, stërviten, nuk pinë duhan dhe flenë 7 orë në natë, ulin ndjeshëm rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare

Teknikat efikase të menaxhimit të stresit sjellin përfitime shtesë. Trajtojeni zemrën me shumë dashuri, ushqehuni shëndetshëm, mbajeni florën të pasur dhe flini mjaftueshëm.

Është e sigurt që jeni 10,000 hapa në drejtimin e duhur./AgroWeb.org