Receta e Shijshme e Kulaçit të Ëmbël me Gjalpë

10.3k 0

Kulaçi është nga shijet më të mrekullueshme që tradita ka përcjellë brez pas brezi.

Kudo në zonën e Ballkanit dhe përreth, ky gatim me bazë brumi të butë dhe plot aromë është shumë i preferuar.

Me siguri të gjithë e keni parasysh shijen dhe aromën që kulaçi i sapo dalë nga furra lëshon.

Mbush shtëpinë dhe tavolinën plot ndaj është edhe ndër ushqimet më të preferuara në shumë familje.

Në shkrimin e sotëm nga AgroWeb.org ju sugjerojmë të provoni recetën ndryshe të kulaçit të ëmbël, me salcë kosi dhe gjalpë.

Ndiqni më poshtë mënyrën e saktë të përgatitjes së këtij kulaçi në vetëm disa hapa.

Përbërësit

  • 650 gr miell
  • 250 ml qumësht
  • 110 gr gjalpë
  • 50 ml vaj misri (për një recetë më të shëndetshme AgroWeb.org ju sugjeron që të përdorni vajin e ullirit)
  • 20 gr maja e thatë
  • 2 lugë gjelle sheqer
  • 250 ml salcë kosi
  • 1 vezë
  • 1 lugë çaji kripë

Përgatitja

Për të nisur me përgatitjen e kësaj recete AgroWeb.org ju këshillon që fillimisht në një tigan të ngrohni qumështin derisa të fillojë të ziejë.

Më pas shtoni po aty edhe gjalpin derisa të shkrijë dhe lërini të ftohen në temperaturë ambienti.

Kur të jenë të vakëta shtoni majanë dhe sheqerin.

Përzieni me anë të një luge derisa të dy këta përbërës të shkrijnë plotësisht në qumësht.

Ndërkohë në një enë veçmas, hidhni të gjithë sasinë e miellit dhe pak nga pak edhe qumështin të cilin duhet t’a përzieni me një rrahës elektrik.

Po aty, duke përzier vazhdimisht  shtoni edhe salcën e kosit, vezën, vajin dhe pak kripë.

Kur brumi të fillojë të trashet punojeni për 5 minuta me duar ose derisa të ndjeni që është i butë.

Jepini një formë rrumbullake vendoseni në një enë, mbulojeni me një qese kuzhine dhe lëreni të pushojë derisa të shikoni që është fryrë.

Teksa prisni, ndizni furrën në temperaturën 170 gradë dhe zgjidhni një tavë mesatare rreth 25 cm për të pjekur kulaçin.

Kur të shikoni që brumi është fryrë sa dyfishi i tij, hiqeni nga ena dhe hapeni me duar në tavën e rrumbullakët.

Bëni kujdes që para se të shtroni kulaçin, ta lyeni tavën me pak vaj ose ta shtroni atë me letër pjekje, në mënyrë që brumi të mos ngjisë.

Pasi kulaçi të jetë hapur i gjithi në tavë, prijeni në qendër me majën e një thike të mprehtë në formën e një kryqi ose X.

Për Pjekjen

Më pas vëreni të piqet në furrë në temperaturën 170 gradë për rreth 1 orë.

Kontrollojeni herë pas here nëse është pjekur, me anë të shpimit të brumit ose derisa të shikoni që ka marrë një ngjyrë ari të lehtë.

Nxirreni nga furra, lëreni të ftohet pak dhe mund ta shërbeni të nxehtë sipas dëshirës tuaj.