Shtohen Ndjeshëm Rastet e Të Prekurve Nga Gripi – Kujdesi Që Ju Duhet

357 0

Sigurisht që sa herë që moti ftohet pasojat fillojnë e ndjehen edhe në organizëm.

Në qarqet më të ftohta të vendit është rritur numri i të prekurve nga gripi.

Sipas të dhënave nga ISHP, rezulton se rreth 11 mijë persona gjatë këtyre javëve kanë kërkuar ndihmën e mjekut për infeksione në rrugët e frymëmarrjes.

Temperaturë e lartë, kollë dhe shpesh problemet me frymëmarrjen janë simptomat që kanë prekur shumë qytetarë.

Mjekët Në Alarm Japin Këshillat e Domosdoshme

Ndërkohë mjekët bëjnë me dije se problemet më të shtuara tek pacientët e prekur nga virozat kanë qenë infeksionet e veshit dhe syve.

Ndaj dhe ekspertët e shëndetësisë menjëherë kanë ribërë publike disa nga mënyrat më të lehta për t’u mbrojtur nga gripi.

Sipas Meteoalb, në Dibër temperaturat kane shkuar deri dhe -10 gradë celsius, ndaj dhe është e pashmangshme rritja e numrit të virozave gripale.

Shefi i Pediatrisë, në spitalin e Peshkopisë, Filip Cfarku, ka deklaruar për AbcNeës, se në urgjencën e Spitalit të Peshkopisë ka një numër të shtuar vizitash mbi 100 në ditë dhe dominojnë fëmijët.

Sipas tij shpesh herë të sëmurët nguten dhe nisin mjekimin pa u konsultuar me mjekët, duke krijuar një situatë përkeqësuese për shëndetin e tyre.

Ajo çfarë është më e rëndësishme për mjekët është që personat e prekur nga gripi të mos përdorin antibiotikë pa rekomandimin e mjekut.

Edhe në Kukës mjekët raportojnë për numër të shtuar të prekurish nga virozat por për fat të mirë nuk ka patur raste të komplikuara.

Shpesh herë qytetarët ngatërrojnë shenjat e para të gripit dhe mundohen që ta menaxhojnë atë përmes çajrave.

Por AgroWeb.org ju këshillon që të mos neglizhoni në asnjë moment konsultat me mjekun përkatës./AgroWeb.org