Ministria e Shëndetësisë Apel Qytetarëve Për Zbatim të Masave Parandaluese

323 0

Ministria e Shëndetësisë sapo publikoi të dhënat e reja në lidhje me përhapjen e virusit COVID-19 në Shqipëri.

Sipas Institutit të Shëndetit Publik, tanimë numri i të prekurve me këtë virus ka shkuar në 42.

24 orët e fundit janë testuar 27 raste të dyshuara ku 4 prej tyre rezultuan pozitiv.

Nga rastet e konfirmuara pozitivë:

Tiranë 26 raste

Durrës 5 raste (njëri prej të cilëve ka ndërruar jetë)

Lushnje 2 rast

Elbasan 2 raste

Fier 5 raste

Rrogozhinë 2 raste

Në bazë të njoftimit të publikuar nga Ministira e Shëndetësisë:

Tre prej tyre janë në terapi intensive, një 66 vjeçar nga Lushnja dhe një 61-vjeçare nga Fieri dhe një 50 vjeçar nga Tirana.

Ndërsa pjesa tjetër e të shtruarve në pavion janë në gjendje të stabilizuar deri në këto momente.

Në Institutin e Shëndetit Publik janë testuar deri në këto momente 17 personel shëndetësor.

Ata kanë patur kontakt me të sëmurit të identifikuar me COVID-19 në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i cili aktualisht po trajtohet në spitalin Infektiv.

Rezulton se 2 prej tyre, personel shëndetësor kanë rezultuar pozitivë. Janë pa simptoma, në gjendje të mirë shëndetësore dhe të vetëizoluar.

Gjithashtu stafi mjekësor bën thirrje të gjithë qytetarëve që të zbatojnë me seriozitet të gjitha masat e duhura.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i drejtohet të gjithë qytetarëve:

Njoftoni personelin shëndetësor nëse keni udhëtuar jashtë vendit.

Njoftoni personelin shëndetësor nëse keni një familjar ose të afërt që ka udhëtuar jashtë vendit.

Njoftoni nëse keni patur kontakt me persona që kanë udhëtuar apo kanë shenja të sëmundjes.

MOS vizitoni të afërmit në spitale sepse shkaktoni rrezik edhe për personelin shëndetësor.

Ju lutem bashkëpunoni me mjekët dhe me autoritetet!

SOT ËSHTË DETYRIM që ne të mbrojmë personelin shëndetësor duke treguar ndërgjegje të lartë në raport me të vërtetën, atë që secili prej nesh duhet të bëjë:

Shmangni vajtjet direkte në spitale.

Telefononi 127 dhe ndiqni këshillat që merrni nga personeli shëndetësor.

Gjatë 24 orëve të fundit janë pritur 7247 thirrje, prej tyre 4468 me kodin ‘korona’.

Dua t’ju bëj thirrje edhe një herë të gjithë qytetarëve, të respektojnë rregullat e reja dhe të qëndrojnë në shtëpi.

Një thirrje sidomos për të moshuarit mbi 70 vjeç: Ju lutem qëndroni në shtëpi!/AgroWeb.org