Ministria e Shëndetësisë Publikon të Dhënat e Reja – Shkon në 494 Numri i të Prekurve në Vend

457 0

Gjatë ditës së sotme Minsitria e Shëndetësisë bëri dhe përditësimin e të dhënave në lidhje me të prekurit me COVID-19 në vend.

Zëvendës Ministria e Shëndetësisë, Mira Rakacolli ka bërë me dije për mediat se gjatë 24 orëve të fundit janë janë testuar 252 persona të dyshuar.

Mes tyre 44 janë personel shëndetësor nga të cilët vetëm një rezultoi pozitiv dhe i përkiste spitalit të Kukësit.

Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 19 raste pozitive me COVID-19, prej të cilëve 11 raste në Tiranë, 1 rast në Krujë, 1 rast në Korçë, 1 rast në Elbasan, 5 raste në Kukës.

Sipas të dhënave që AgroWeb.org ka siguruar, deri në këto momente janë testuar 4558 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 494 raste.

Rakacolli pohoi se pavarësisht luhatjeve ditore, kurba mbetet e qëndrueshme dhe situata është krejtësisht e kontrolluar.

Ndërkohë që lajmëroi se mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 90-vjeç nga Fieri.

Ai ka qenë i intubuar prej 11 ditësh dhe vuante nga diabeti, astma bronkiale dhe hipertensioni.

Pavarësisht përpjekjeve te stafeve mjekësore, 25 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje.

Gjatë 24 orëve të fundit, 3 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 251.

Ajo informoi se në shërbimin infektiv aktualisht janë 39 të shtruar, nga të cilët 5 pacientë janë në terapi intensive.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar.

Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 48 pacientë.

Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Kukës, Krujë, Elbasan dhe Korçë.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

– Tiranë 237 raste

– Durrës 42 raste

– Lushnje 6 raste

– Elbasan 16 raste

– Fier 32 raste

– Kavajë 8 raste

– Rrogozhinë 4 raste

– Korçë 18 raste

– Vlorë 5 raste

– Shkodër 71 raste

– Lezhë 14 raste

– Berat 2 rast

– Has 13 raste

– Krujë 7 raste

-Tropojë 4 raste

– Pukë 5 raste

– Mirditë 3 raste

– Kukës 6 rast

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale.

Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19.

Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40.