Koronavirusi, Sa Të Sigurtë Jemi Në Det Dhe Pishina

373 0

Në redaksinë e AgroWeb.org mbërrijnë çdo ditë mesazhe të lexuesve që duan të informohen saktë mbi ecurinë e pandemisë dhe koronavirusin.

Me ngrohjen e temperaturave dhe lehtësimin e masave, shqetësimi i rradhës i njerëzve ka të bëjë me detin, plazhin, rërën, e gurët, panorama e të cilave ngjall padyshim ndjesinë e normalitetit të dikurshëm.

Pyetja që kemi marrë rëndom është ” a qëndron virusi në ujin e kripur të detit?”

Për të marrë këtë përgjigje kërkuam informacion nga ekspertë të huaj dhe burime të huaja të verifikuara të informacionit.

Sipas revistës Forbes, koronavirusi mund të qëndrojë në ujë për disa ditë, në mos javë, POR fakti që qëndron në ujë, nuk do të thotë se është në sasi të përqendruara të mjaftueshme për të infektuar dikë.

Koronavirusi Në Det

Pavarësisht mungesës së informacionit për të patur një panoramë sa më të qartë, ekspertët thonë se asgjë nuk është e sigurt tashmë dhe vetëm mund të hamendësojnë.

Sipas tyre, deti dhe oqeani janë të mëdhenj gjë që mund të nxisë hollimin dhe shpërbërjen e virusit në terma afatgjatë, siç edhe konfirmohet nga qendra amerikane CDC.

Kripa më pas, mund të shuajë aftësitë e mbijetesës së ujit.

Studime të mëhershme mbi një lloj virusi të ngjashëm që shpërtheu në vitin 2003, kanë zbuluar se ai qëndron dhe është aktiv në ujëra të ndenjura ose në ujrat e zeza. Gjurmë të koronavirusit janë gjetur edhe në fekalet e disa pacientëve, gjë që ngre pikëpyetje për sigurinë e notarëve në ujëra të tilla.

Në vendin tonë  për shembull ka jo pak raste kur vetë njerëzit kanë raportuar pamje të ujërave të zeza që derdheshin në det, ose edhe të jashtëqitjes së njeriut në brigjet e frekuentuara nga pushuesit.

Ndonëse rreziku i transmetimit të koronavirusit nga feçet e një personi të infektuar mbetet i panjohur dhe deri më tani nuk ka pasur raste të konfirmuara, një këshillë me vend do të ishte që notin ta bëjmë me kujdes duke mbajtur distancë.

Koronavirusi Në Pishina

E njëjta llogjikë, sipas ekspertëve, vlen edhe për pishinat, por këtu njerëzit duhet të tregojnë kujdes të shtuar.

Qendra Amerikane CDC thotë se nuk ka asnjë të dhënë që të konfirmojë se COVID-19 mund të përhapet mes njerëzve në pishina apo parqe ujore.

Deri më tani CDC argumenton se uji e tret virusin ndërkohë që disinfektimi me klor dhe substanca të tjera me gjasë mund ta çaktivizojë atë.

Sidoqoftë, nëse nuk jeni të bindur që uji në pishinën tuaj të zgjedhur nuk është i disinfektuar atëherë më mirë mos u fusni, sidomos nëse në pishinë ka shumë njerëz.

Siç e kemi shpjeguar edhe më parë, uji i pishinave të mbipopulluara dhe jo të pastruara siç duhet është plot me mikrobe të tjera, përfshirë edhe gjurmë feçesh.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mund të informoheni për rrezikun që shkakton mbipopullimi i pishinave në kohë jo pandemie.

Një studim i kryer në 2019 për pishinat zbuloi se 24 përqind e personave të pyetur futeshin në pishinë edhe një orë pas një episodi diareje. Kjo është shifra vetëm e atyre që e kanë pranuar një gjë të tillë.

Sa mund të jetë vallë numri i vërtetë i njerëzve që e bëjnë këtë pa u shqetësuar për të tjerët?

Kjo është arsyeja përse distanca, disinfektimi dhe kujdesi për higjenën janë më të rëndësishme se kurrë./AgroWeb.org