33 Mijë të Papunë nga Pandemia – Çfarë Pritet të Ndodhë

367 0

33,428 të papunë është efekti i krizës së Covid-19 në ekonominë shqiptare. Shifra mbështetet te të dhënat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, si diferencë e numrit të të punësuarve në sektorin privat midis muajit shkurt dhe fundit të majit.

Sektori i shërbimeve rezulton të jetë më i godituri, me rreth 15 mijë të larguar nga puna, ndjekur nga industria e prodhimit dhe përpunimit, ku përfshihen edhe fasonët, me një total prej mbi 12 mijë të larguarish.

Papunësia nga biznesi i madh

Por shifra e qytetarëve që kanë humbur të ardhurat e tyre në këtë moment të vështirë mund të jenë edhe më të larta, diçka që pranohet edhe nga Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj.

“Këto numra i referohen gjithmonë biznesit të madh. Në fund të muajit korrik, ne kemi edhe deklarimet e biznesit të vogël, i cili ka detyrim që të deklarojë një herë në tre muaj. Në fund të muajit korrik do të kemi një shifër më të saktë mbi efektin e krizës Covid në papunësi”, u shpreh Ibrahimah në A2 Business.

Ibrahimaj zbuloi se të dhënat e deritanishme të muajit qershor, kur pjesa më e madhe e bizneseve janë të hapura, tregojnë se ka një rënie të konsumit me 6%. Por, pavarësisht situatës, drejtoresha e Tatimeve deklaroi se së shpejti do të nisë edhe monitorimi i aktivitetit të bizneseve.

Monitorimi i Bizneseve

“Sigurisht që do të jemi prezentë, që të sigurohemi që tatimpaguesit po zbatojnë ligjin, por po mundohemi të gjejmë forma të monitorimit të aktivitetit si të sezonit turistik ashtu edhe subjekteve të tjera, të cilat kanë qenë të mbyllura gjatë periudhës së karantinës. Fokusi do të jetë te të mëdhenjtë e faturimit dhe te të vegjlit, fokusi do të jetë këshillimi”, u shpreh Drejtoresha e Tatimeve, Delina Ibrahimaj.

Për periudhën janar-maj, tatimet raportojnë një rënie të të ardhurave me 15% krahasuar me një vit më parë, një performancë, që sipas Ibrahimaj, pritet të vijojë gjatë gjithë 2020-ës./A2CNN