Në Vjeshtë. Situata Mund të Bëhet më e Rëndë për Shkak të Gripit Stinor

370 0

Familjarë të shqetësuar për fatin e të afërmve të prekur me koronavirus, me shishe uji në duar, ushqim apo pak sende personale, janë pamje të trishta që të ofrojnë përditë oborrët e spitalit Covid-1 dhe Covid-2.

Mjeku Pëllumb Pipero, i cili pak ditë më parë u përball vetë me një situatë të tillë pranon se ka vend për përmirësim sa i takon informimit të qytetarëve.

Pëllumb Pipero: Informacioni duhet të jetë i zyrtarizuar, të lidhet me fasha oraresh, ka vend për përmirësim, por informacion ka dhe kjo nuk diskutohet. Pasi të gjithë kanë mundësi të komunikojnë me telefona celular. Mungesë transparence nuk ka harrojeni, pasi nuk kemi se çfarë të fshehim. Por duhet të keni një gjë në konsideratë, shqiptarët janë të paduruar në gjithçka, edhe për të marrë informacion. Ka shumë ngarkesë, jo në çdo kohë mjeku është. Ndaj duhet mirëkuptim dypalësh.

Doktor Pipero nuk beson se do kemi një valë të dytë të rikthimit të pandemisë në vjeshtë. Por ai lajmëron se situata mund të bëhet më e rëndë për shkak të gripit stinor.

Pëllumb Pipero: Situata edhe mund të agravohet, shifrat mund të bëhen edhe më të mëdha. Ne duhet të jemi të përgatitur se virusi i gripit stinor ngjan si dy pika uji me covid, dhe kapacitetet do jenë në vështirësi.

Shifrat e larta të ditëve të fundit, të rasteve pozitive me Covid, sipas doktorit janë shqetësuese, por sipas tij nuk janë tregues se kemi të bëjmë me transmetim komunitar. Problemin e sheh tek kujdesi i pakët, sidomos tek të rinjtë.

Pëllumb Pipero: Do kërkonim mirëkuptimin e qytetarëve veçanërisht e rininë që nuk është e bindur se virusi ekziston. Unë s’dua kurrë që ata të sëmuren por ato mund t’ua çojnë virusin familjarëve./Top Channel