Covid19 – Flasin Ekspertët: Java Tjetër Vendimtare për Masa të Reja

322 0

Prej Shtatorit 2020 në vendin tonë ka pasur rritje të shpejtë ditë pas dite të numrit të infektuarve dhe vdekjeve nga Covid-19.

Në të gjithë Shqipërinë sot numërohen 20973 raste aktive dhe 450 persona të shtruar në tre spitalet e dedikuara.

Teksa pritej që dimri të shtonte më tej numrin e infektimeve ditore po kështu pritej të shtoheshin masat shtrënguese për parandalimin e kësaj përhapje.

Deri më tani Komiteti Teknik i Ekspertëve ka deklaruar se situata është e qëndrueshme, por priten vendime të reja në javët në vijim në varësi të rasteve.

Çfarë pritet të ndodhë

Në një deklaratë për mediat Kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, prof. Mira Rakacolli tha se situata epidemiologjike mbetet e qëndrueshme, dhe kjo javë do të shihet për të parë nëse do të ketë nevojë për masa të reja.

“Gjendja mbetet relativisht e qëndrueshme dhe do na duhet një javë tjetër për të parë a do të vazhdojë kjo qëndrueshmëri dhe në bazë të vlerave që do të kemi këtë javë do të gjykohet nëse do të ngelemi në nivelin e këtyre masave apo do të ketë nevojë për masa të tjera. Është një javë e rëndësishme në vlerësimin epidemiologjik të situatës”, tha Rakacolli.

Situata me shifrat në vend

Për dy javët e fundit incidenca e infektimeve në vendin tonë është 356 raste për 100 mijë banorë që sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik është më e ulët se vendet e rajonit apo ato të Bashkimit Europian.

Megjithëse situata paraqitet më e qëndrueshme se muajt që lamë pas në disa qytete të vendit si Tirana apo Gjirokastra dhe Lezha numri i infektimeve vazhdon të jetë i lartë.

Në mbledhjen e Komitetit Teknik Drejtoresha e ISHP, Albana Fico tha se:

“Prefektura me incidencë më të lartë vijon të jetë Tirana, e ndkejur nga Gjirokastra dhe Lezhë, ndërkohë që grupmosha më e prekur është 55-64 vjeç dhe 65-75 vjeç.”

Me përhapjen e virusit sipas ekspertëve vihet re një qëndrueshmëri e numrit të pacientëve të shtruar në spitalet COVID që kanë nevojë për trajtim spitalor, por shpjegohet se ka një rritje të lehtë të rasteve që kanë nevojë për trajtim në terapi intensive.

Komiteti Teknik i Ekspertëve, vlerëson se efekti i masave të deri tanishme është mesatar dhe ndryshimi i tyre do të shihet sipas shifrave në javën e ardhshme./AgroWeb.org