BSH: Pasiguria prej pandemisë dhe rënia e të ardhurave po ulin konsumin e ushqimeve

343 0

Alberti, i cili prej vitesh tregton në një njësi pakice të ushqimeve në Tiranën e Re, pohon se ky vit ka qenë negativ sa i takon xhiros ditore. Në 20 vite përvojë, tre muajt e fundit kanë qenë të pashembullt, sidomos që nga nëntori 2020 e deri tani, shitjet kanë rënë me mbi 50% në raport me vitet e tjera.

Njësoj si ai raportojnë edhe tregtarët në tregjet ushqimore të uzinës Dinamo në Tiranë. Alberti thotë se, familjet që kanë të ardhura po hezitojnë të shpenzojnë si më parë, pasi kanë frike se nëse sëmurën nga Covid-19 u duhet të përballen me shpenzime të larta shëndetësore. Ndërsa një pjesë tjetër e klientëve të tij kanë humbur punën dhe blejnë vetëm ushqime për mbijetesë.

Rënia e fuqisë blerëse u reflektua në inflacionin e muajit janar të këtij viti, kur rritja e çmimeve ishte vetëm 0.4%, niveli më i ulët që nga pranvera e vitit 2016. Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të politikës monetare, analizoi se pasiguria në nivele ende të larta dhe rënia e të ardhurave të disponueshme janë faktorët kryesorë që kanë penguar rikuperimin e plotë të konsumit privat në tremujorin e tretë.

Një pjesë e hendekut në rënien e të ardhurave nga puna brenda vendit është plotësuar nga rritja e prurjeve të emigrantëve dhe rritja e kredisë konsumatore. Por të dy këto elemente pozitive kanë qenë të pamjaftueshme për të mbajtur konsumin në normalitet.

Kërkesa e brendshme ra me 2.1% në terma vjetorë në tremujorin e tretë të vitit 2020, rënie më e zbutur krahasuar me tremujorin e mëparshëm (-7.9%). Zhvillimi u drejtua kryesisht nga rënia me 3.9% e konsumit të popullatës.
Konsumi privat ngadalësoi rënien në tremujorin e tretë në -3.9%, pas rënies së fortë me 8% në tremujorin e dytë. Lehtësimi i masave kufizuese dhe ulja e pasigurisë ndikoi rikuperimin e konsumit të mallrave afatgjatë dhe të shërbimeve.

Ndikimi i pandemisë rezultoi më i zbutur për kategorinë e shpenzimeve afatshkurtra. Më konkretisht, indeksi i tregtisë me pakicë të ushqimeve ka vijuar rritjen vjetore edhe në tremujorin e tretë të vitit 2020.

Banka e Shqipërisë lajmëroi se tregues të ndryshëm indirektë sugjerojnë se rikuperimi i konsumit privat në tremujorin e katërt ka vijuar, por nivel i tij mbetet poshtë atij të regjistruar para pandemisë. Importi i autoveturave, i cili iu rikthye rritjes në tremujorin e dytë, përshpejtoi rritjen vjetore në periudhën tetor-nëntor. Importi i mallrave për qëllime konsumi është rritur 6.1% mesatarisht gjatë muajve tetor dhe nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat me frekuencë mujore nga blerjet e individëve me karta sugjerojnë se rikuperimi i shpenzimeve të konsumatorëve ka vijuar në tremujorin e katërt, por me ritme të ngadalta. Në linjë me këta tregues sasiorë, treguesit cilësorë nga vrojtimet flasin për rritje të besimit në sektorin e shërbimeve dhe të tregtisë, sipas BSH./Burimi:Monitor