Rastet me mpiksje gjaku, Johnson & Johnson shtyn shpërndarjen e vaksinave në Evropë

336 0

Autoritetet amerikane të shëndetësisë rekomanduan të martën pushimin e përdorimit të vaksinave Johnson&Johnson pas raportimeve se të paktën gjashtë gra pësuan mpiksje të gjakut pasi morën injeksionin.

Pas këtij vendimi kompania deklaroi se do të shtynte shpërndarjen e vaksinave në Evropë deri sa çështja të qartësohej më tepër.

Vaksina anti-COVID e Johnson&Johnson është miratuar nga autoritetet evropiane, mirëpo ende vendet e unionit nuk kanë marrë asnjë porosi prej kompanisë. Së fundmi ishte parashikuar që të nisnin dërgesat e para.

Johnson&Johnson përdor një qasje të ngjashme si ajo e AstraZeneca për të luftuar virusin. Ngjashëm edhe AstraZeneca u pezullua për përdorim në shumë vende të Evropës pas disa rastesh me trombozë. Shumë vende tashmë ua rekomandojnë vetëm moshave të thyera, të cilat përdorin si bar të përditshëm edhe holluesit e gjakut.

Në Shtetet e Bashkuara Johnson&Johnson qe rekomanduar të përdoret në moshat mbi 16 vjeç.

SHBA ka administruar rreth 6.8 milionë doza të vaksinave Johnson&Johnson, e cila, ndryshe nga vaksinat e tjera, jepet me një injeksion dhe jo me dy.

Mirëpo zyrtarë të shëndetësisë amerikane janë duke shqyrtuar rastet e gjashtë grave të moshave 18-48 vjeç, që pësuan “mpiksje të rënda dhe të rralla të gjakut pas marrjes së vaksinës.

Shqyrtimet janë duke u bërë nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), të cilat thanë se “simptomat e mpiksjes së gjakut ndodhën 6-13 ditë pas vaksinimit”.

“Tani për tani, këto efekte anësore duket të jenë ekstremisht të rralla,” – thanë autoritetet amerikane.

Rekomandimi për të pushuar përkohësisht procesin e vaksinimit bëhet “për të garantuar se sistemi shëndetësor është në dijeni të këtyre efekteve anësore të mundshme” dhe që “të planifikojë si duhet njohjen dhe menaxhimin e situatave që kanë nevojë për trajtim specifik për këto raste të mpiksjes së gjakut”.

Zyrtarët amerikanë thonë se njerëzit që janë vaksinuar dhe përjetojnë “dhimbje të forta koke, dhimbje barku, dhimbje këmbësh, apo vështirësi në frymëmarrje brenda tre javësh pas vaksinimit duhet të kontaktojnë mjekun”.

Autoritetet kanë nxituar të sigurojn që qytetarët që kishin planifikuar të merrnin sot vaksinën Johnson&Johnson, të marrin vaksina të tjera.

Rekomandimi i autoriteteve amerikane për vaksinën Johnson&Johnson vjen pak pasi Agjencia Evropiane e Mjekësisë (EMA) deklaroi se po rishqyrtonte raportimet për mpiksje gjaku prej këtyre vaksinave. EMA raportoi se kishte vetëm katër raste, një prej së cilave ishte fatale./Burimi:EuroNews