Vala e fshehtë e pandemisë; Rreziku i rritjes të të sëmurëve të tjerë nga Jo-Covid

343 0

Pandemia gjeti të papërgatitura vendet me sisteme shëndetësore solide e moderne në mbarë botën. Në Shqipëri, frika nga infektimet me COVID-19 dhe sistemi shëndetësor i nënfinancuar, me mangësi të theksuara në staf e pajisje, ndikoi te shtrimet e pacientëve në spitalet publike. Meqenëse vëmendja u fokusua te sëmundja e re, për shkak të panikut që solli përhapja e shpejtë globale, u kufizuan trajtimet për të sëmurët kronikë, konsultat periodike, si dhe operacionet e planifikuara.

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, spitalet publike që në fillim të pandemisë nisën të shtynin operacionet e planifikuara apo rastet jo urgjente që mund të prisnin. Pas një valë të parë nga qershori deri në nëntor, kur fatalitetet u rritën, vala e dytë e nëntorit i gjeti spitalet shtetërore me rënie të fluksit të të shtruarve dhe salla kirurgjie që kryenin ndërhyrje vetëm për rastet urgjente. Shumë pacientë me sëmundje tumorale, nga frika e infektimit nuk arritën diagnostikimet e hershme.

A do të rriten fatalitetet 

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, shtrimet në spital për 2020-n ranë 29% krahasuar me një vit më parë. Në kardiologji dhe kardiokirurgji, trajtimet e të sëmurëve u ulën 26%, për transplantet e veshkës 63%, për kataraktet 21% (perdja e syve e cila mund të hiqet vetëm me intervenim kirurgjik), depistimi i kancerit të gjirit 26% dhe ata të trajtuar me radioterapi, 8%. Çfarë ndikimesh patën dhe do të kenë këto në shëndetin e njerëzve?

Për mjekun Ilir Allkja, mosndjekja e trajtimeve dhe konsultave jo vetëm përkeqësoi gjendjen klinike te të sëmurët kronikë, por rriti edhe rastet e humbjes së jetës. Z. Allkja, ish-mjek i urgjencës së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) paralajmëron se edhe pas pandemisë, gjendja klinike rrezikon të përkeqësohet, sidomos te pacientët me sëmundje tumorale dhe ata me probleme renale, gjë që mund të sjellë edhe rritjen e fataliteteve.

Në vitin 2020, sipas të dhënave të INSTAT, u raportuan gjithsej 27,605 humbje jete, me një rritje të ndjeshme prej 25.8%. Në total, 5,668 persona më shumë ndërruan jetë në 2020-n, në krahasim me vitin e mëparshëm. Viti 2020 shënoi nivelin rekord të jetëve të humbura në vend, që prej 1990-s, kur INSTAT publikon të dhënat. Shtesa e vdekjeve është gati 5 herë më e lartë (4.8) se raportimet zyrtare nga spitalet COVID (1181 persona), duke treguar indirekt se pasojat e pandemisë në vend kanë qenë shumë më të mëdha.

Situata me pandeminë ka qenë e rënduar në tremujorin e tretë dhe sidomos në atë të fundit. Sipas INSTAT, në tremujorin e tretë u regjistruan rreth 1600 vdekje më shumë (nga +1300 që ishte raportimi i mëparshëm), me rritje prej 32% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në të katërtin, pasojat e pandemisë kanë qenë fatale. Gjithsej u regjistruan 9,397 vdekje, me një rritje prej 73%, ose gati 4 mijë jetë të humbura më shumë se tetor-dhjetorin e vitit 2019.

Rastet e reja të kancerit po diagnostikohen me vonesë

Në fillimet e pandemisë, shumica e njerëzve ishin të shqetësuar për të shkuar në institucionet shtetërore shëndetësore nga frika e infektimit me COVID-19. Silvana Çeliku, shefe e shërbimit të Onkologjisë në QSUT, thotë për “Monitor” se për këtë arsye janë rritur rastet e reja të kancerit të diagnostikuara me vonesë. Problemi më i madh, sipas kirurges onko-gjinekologe, është stadi i sëmundjes në momentin që paraqiten pacientët në spital. Të gjithë njerëzit që janë paraqitur me vonesë në spital, të pyetur nga reparti i shërbimit onkologjik, janë shprehur se arsyeja e vonesës ka qenë frika e infektimit nga virusi. Në 2020-n, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i grave të depistuara me kancerin e gjirit ra 26% krahasuar me 2019-n.

Ulet numri i shërbimit check up

Nga gjysma e dytë e muajit mars 2020, shërbimi check up i koncesionarit është ndërprerë përkohësisht, për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19. Buxheti vjetor është pakësuar me 450 milionë lekë deri në ndërprerjen e shërbimit. Gjatë periudhës në funksionim, janë realizuar 100,243 check up, ndërkohë që janë likuiduar detyrimet për periudhën nëntor-dhjetor 2019, si dhe po likuidohen në vazhdimësi detyrimet e krijuara për vitin 2020, deri në ndërprerjen e shërbimit. Në total, në 2020, përfituan shërbimin 20% e pacientëve të planifikuar. Krahasuar me një vit më parë, numri i personave që kryejnë check up ra 79%./Burimi:Monitor